Mashtrimi serb për vulat
Beogradi është duke e mashtruar opinionin serb edhe lidhur me vulat doganore të Kosovës. Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Serbisë vazhdimisht deklarojnë se nuk do të pranojnë vulën e Kosovës në të cilën shkruan Republika e Kosovës dhe që përmban simbole shtetërore.
Por në asnjë nga vulat e Doganës së Kosovës, të aprovuara para rreth tri vjetësh, nuk shkruan Republika e Kosovës dhe në to nuk ka simbole shtetërore.
Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica ka deklaruar për Express se shumica e vendeve më të mëdha në botë në vulat e tyre doganore nuk kanë simbole shtetërore dhe në to nuk shkruan “Republika”, “Mbretëria”, etj.
“Nuk është me rëndësi çka shënon brenda vulës për rregullimin e brendshëm të shtetit se a je Republikë, a Mbretëri. E rëndësishme është të shënohet emri i institucionit dhe shtetit që e lëshon atë vulë. Në këtë rast, te vulat tona shkruan Dogana e Kosovës”, ka thënë Huruglica.
Sipas tij, politikanët serbë po luajnë me opinionin në Serbi “se nuk do t’i pranojnë vulat ku shkruan Republika e Kosovës”, në mënyrë që kur t’i njohin vulat shtetërore që tashmë janë të njohura nga shumica e shteteve në botë, të thonë që “i njohëm, por nuk shkruan Republika, por vetëm Kosova”.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...