E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njohje me shumicë ?

Behgjet Pacolli arriti të sigurojë edhe njohjen nga shteti afrikan i Beninit. Kjo çon në tetëdhjetë numrin e vendeve që kanë njohur pavarësinë. Zyra e Pacollit njoftoi edhe për 14 njohje të tjera nga Komuniteti i Karaibeve, të cilat thuhet se do të publikohen në ditët në vijim. Ministri Enver Hoxhaj e quajti mrekulli punën e Pacollit, derisa në Serbi u tha se nga njohjet e fundit duhet pasur frikë. Nga Shpend Limoni më 19 gusht 2011 në ora 08:05

Behgjet Pacollit po i ec puna mirë në Afrikë.

Vetëm dy ditë pasi ka njoftuar për njohjen nga Nigeri dhe Guinea Conakry, njerëzit e tij e kanë shpallur edhe njohjen e tetëdhjetë për vendin, e cila ka ardhur nga Benini – një shtet tjetër afrikan.

Njohjen e Beninit e ka nënshkruar personalisht shefi i shtetit, Boni Yayi, i cili është kujdesur që në notën verbale ta përmendë edhe emrin e Pacollit.
Republika e Beninit me këtë rast ka shprehur gatishmërinë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, ekonomike dhe kulturore me Kosovën.

Behgjet Pacolli, i cili vazhdon të qëndrojë në kontinentin afrikan, në një prononcim për Express të enjten ka përmendur edhe mundësinë e njohjes së shpejtë nga Nigeria.

Bashkëpunëtorët e tij ndërkaq në një konferencë për media, të enjten, kanë deklaruar se Kosova është njohur edhe nga shtetet anëtare të Komunitetit të Karaibeve (CARICOM) ku bëjnë 15 shtete, duke përfshirë edhe shtetin e Belizes që ka njohur pavarësinë e vendit në gusht të vitit 2008.

“Ju njoftojmë që Kosova në orët apo në ditët të vijim do të pranojë formalisht përmes përfaqësive të veta diplomatike në botë, respektivisht ne Londër, New York, Gjenevë, Paris edhe notat verbale për njohje nga shtetet e tjera anëtare të Komunitetit të Karaibeve respektivisht CARICOMIT”, kanë bërë të ditur bashkëpunëtorët e Pacollit.

Shtete anëtare të Komunitetit të Karaibeve janë Antigua dhe Barbuda, Bahamas, Barbados, Belize, Dominica, Grenada, Guyana, Haiti, Jamaica, Montserrat, Surinami, Trinidad dhe Tabago, Federata e Saint Kitts dhe Nevis Saint Lucia, Cayman Islands Saint Vincent dhe Grenadines.

“Këto shtete, gjatë ditës kanë konfirmuar dhe kane njoftuar Zyrën e Zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli përmes përfaqësive të tyre diplomatike në Londër dhe Gjenevë për vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës përkitazi me aktivitetin e dendur lobues të z. Pacolli”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për media nga Zyra e Pacollit.

Aty po ashtu thuhet se njohjet që do të vijnë nga këto shtete janë rezultat i “lobimit aktiv që z. Pacolli kishte zhvilluar në vitin 2008, 2009 dhe 2010, veçanërisht përgjatë tetorit të vitit 2010 në Samitin e mbajtur në New York, ku z. Pacolli me grupet lobuese profesionale dhe të specializuara në marrëdhënie ndërkombare kishte zhvilluar takime veç-veç me shtetet anëtare të Komunitetit të Karaibeve, respektivisht CARICOM’it”.

Një muaj më parë, organizatën e CARIKOM’it e kishte vizituar edhe Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic, i cili kishte kërkuar që këto vende të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Për punën e tij në lobim dhe për njohjet e fundit, Pacolli ndërkaq është lëvduar nga Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili po ashtu ka paralajmëruar njohje nga vendet anëtare të Konferencës Islamike.
Hoxhaj ka thënë se puna e Pacollit është një mrekulli.

”Pa dyshim ka bërë një punë shumë të madhe në Afrikë dhe rezultat i punës së tij janë edhe tri njohjet nga vendet e Afrikës. Unë jam shumë i sigurt se në javët e ardhshme do të kemi njohje edhe nga pjesë të tjera të botës, por pa dyshim ajo që ka ndodhur gjatë javës së fundit, falë përkushtimit të Pacollit, është një mrekulli”, ka thënë Hoxhaj për mediat kosovare.

Tri njohjet e fundit janë komentuar edhe në Serbi.

Profesori i Shkencave Politike dhe ish-diplomati serb, Cedomir Strbac ka thënë se këto njohje nuk bën të nënvlerësohen, sepse kanë ndikim edhe te fqinjët e tyre.

“Influenca e tyre nuk duhet të neglizhohet megjithatë, sepse një numër i diplomatëve të njohur nga vendet afrikane janë në struktura të organizatave ndërkombëtarë, si në Kombet e Bashkuara dhe në Unionin Afrikan. Çdo vazhdimësi e njohjeve mund të këtë impakt negativ në këto struktura dhe dobësojnë Serbinë”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›