“Mashtroi” – Revolta studentore, Berisha përgenjeshtron Ramën për raportin e të plagosurve: Protestuesit shmangën spitalet për mos u persekutuar nga policia
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama në lidhje me statistikat e të plagosurve gjatë protestës studentore, pasi ky i fundit tha se Shqipëria është i vetmi vend ku numri i efektivëve të policisë të plagosur ishte më i lartë se ai i protestuesve.

Në një konferencë për mediat, Berisha theksoi se kryeministri gënjeu në mënyrën më të pafytyrë dhe se shumë protestues kanë shmangur për të shkuar në spital për t’i shpëtuar persekutimit nga Policia.
“Ai tha se në asnjë vend të Evropës nuk ka ndodhur që të ketë më shumë policë të plagosur se protestues. I pafytyrë, i pander, i pamoral! Raporti i plagosjeve protestues-polic është të paktën minimumi 1 me 15, mund të jetë 1 me 30 sepse janë me dhjetëra qindra të plagosur që shmangin spitalet për t’iu shmangur persekutimit. Pra, mashtroi në mënyrën më të pafytyrë.
Unë i them se në asnjë vend të Evropës nuk ka bërë vaki të manipulohen shifrat siç manipulon ti, sepse shqiptarët panë gjatë këtyre 11 ditëve kafka të çara nga plumbat të protestuesve. Panë breshëri plumbash mbi trupat e tyre. Panë si mbase asnjëherë ndokund me dhjetëra trupa që gjallonin të shtrirë pa ndjenja ose me gjysmë ndjenja në sallën e Ministrisë së Arsimit.
Panë bisha, kafsha të të vërteta me uniformë që protestuesit të shtrirë përdhe i hipnin me shqelma që t’i thyenin gjymtyrët dhe i thyen gjymtyrët. Panë barbari ndaj të miturve sikur të mos ishin fëmijë, por kafshë gjahu. Shqiptarët panë të gjitha këto”, u shpreh Berisha.