E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtroi për vizat, pranga gazetares

ARRESTIMI/ Arlinda Baroti, 38 vjeçe, ishte dënuar nga Gjykata e Durrësit me tre vjet heqje lirie për mashtrim


Gruaja u kishte marrë tre shtetasve 7 000 euro me premtimin se do t'iu siguronte të afërmve të tyre viza italiane


DURRËS - Ka përfunduar në pranga një 38-vjeçare, e cila punonte gazetare në një media lokale, për shkak se është dënuar me tre vjet burg nga Gjykata e Durrësit për veprën penale të mashtrimit, të kryer më shumë se një herë.


Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në pranga ka përfunduar Arlinda Baroti, e cila ka punuar si gazetare dhe përkthyese, ndërkohë që mësohet se denoncimi ndaj saj është bërë nga tre shtetas të ndryshëm, të cilët kanë akuzuar gruan se u ka marrë para në këmbim të premtimit të sigurimit të vizave të rregullta në Itali, por nuk kanë fituar as vizat dhe as kanë marrë para mbrapsht.


Mësohet se ngjarja ka ndodhur dy vjet më parë, ndërkohë që 38-vjeçarja është gjykuar në gjendje të lirë, dhe pas marrjes së vendimit formë të prerë, është vënë në pranga nga policia e Durrësit.


Ngjarja


Dy persona të ndryshëm nga fshati kanë dashur që të dërgojnë me viza të rregullta në shtetin fqinj të Italisë nuset e djemve, ndërsa një i tretë ka dashur të dërgojë mbesën e tij. Por nuk kanë mundur ta realizojnë një gjë të tillë, pasi viza e premtuar nuk është nxjerrë asnjëherë. Kështu ata kanë tentuar që të rimarrin paratë e dhëna për punën e pakryer nga sekserja e vizave, e cila ishte njohur prej tyre si gazetare.


Ata kishin dhënë secili, sipas policisë, njëri 2 000 euro, ndërsa dy të tjerët nga 2 500 euro. Kur e kanë ndier se kishin mbetur pa vizat e kërkuara, por edhe pa paratë e dhëna nje gruaje që ushtronte funksionin e gazetares, si dhe të përkthyeses i janë drejtuar gjykatës.


Pasi nuk i kanë përfituar më paratë nga ajo që e kishte marrë përsipër këtë mision, ata ka bërë denoncim për mashtrimin dhe kanë kërkuar që të marrin paratë e veta, pasi siç kanë deklaruar në gjyq ajo jo vetëm që nuk ua ka kthyer, por edhe i ka ofenduar në kohën që i kërkonin. Gazetarja pasi është përballur në gjyq me këta persona dhe pas kësaj përballjeje është dënuar.


Policia


Policia njofton se arrestimi i gazetares 38-vjeçare Baroti u bë per arsye se Prokuroria e Rrethit të Durrësit ka nxjerrë në janar të këtij viti urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Durrës të datës 10.12.2008 në bazë të të cilit ajo është dënuar me 3 vjet burg për veprën penale të "mashtrimit" të kryer më shumë se një herë.


Sipas policisë, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës së Durrësit shtetasja në fjalë ka mashtruar tre shtetas të cilëve u ka premtuar se do t'u siguronte viza italiane me qëllim dërgimin në Itali të të afërmeve të tyre (në dy raste nuset e djemve dhe në një rast mbesën) për të shkuar pranë familjeve të tyre. Pas marrjes së shumave prej 2000-2500 euro nga këta shtetas, Baroti nuk u ka siguruar vizat dhe as ka kthyer më shumat e përfituara prej tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›