Komisioni hetimor, miratohet në parim nisma e deputetëve të PS-së
TIRANE - Komisioni i Ligjeve miratoi ne parim sot nismen e PS-se per ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Neser nisma e deputeteve te majte diskutohet nen per nen.
Sërish debatet u orientuan tek kutitë, ku deputeti socialist Fatmir Xhafaj deklaroi se kërkesa për kutitë bazohet mbi Kushtetutën. "Zvarritja e çështjes është me pasoja dhe nuk i shërben zgjidhjes së krizës ndaj ne jemi të hapur për negociata politike dhe juridike", tha Xhafaj në komision.
*****
12 mars
Rikthimi i socialistëve në Kuvend dhe përpjekja e tyre për të kanalizuar në baza ligjore hetimin parlamentar të procesit të shkuar zgjedhor nuk ka dhënë suksesin e duhur, pasi mazhoranca njësojë si më parë refuzon që të pranojë hapjen e kutive të votimit, me argumentin e vetëm se një gjë e tillë bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, ligjvënësi nuk mund të hetojë vendimet e gjykatave.
Duke qëndruar në të njëjtat "llogore", të majtët dhe të djathtët janë ballafaquar edhe një herë dje në Komisionin e Ligjeve, ku ka vijuar sërish diskutimi në parim i projektligjit të paraqitur prej socialistëve dhe i cili kërkon të bëjë disa ndryshime në ligjin "Për komisionet hetimore parlamentare" për të bërë të mundur që lejimin e hetimit të zgjedhjeve nëpërmjet marrjes së provave nga kutitë e votimit.
Në emër të mazhorancës debatin e djeshëm e ka hapur deputeti Eduart Halimi, i cili që në nisje të argumentimit të tij ka theksuar se projektligji i socialistëve ka nevojë të përmirësohet në mënyrë që të vendoset brenda parimeve që përcakton korniza kushtetuese dhe përfundimeve që ka ndalë Gjykata Kushtetuese në vendimin numër 20 të vitit 2007, çka ka lënë pak shpresa për gjetjen e një mundësie për arritjen e një zgjidhje të pranueshme.
"Mund të them se këtij projektligji i mungon vendosja e standardeve dhe parimeve kushtetuese. Është absolutisht e rëndësishme që projektligji të riformulohet, duke vendosur në të, kufijtë e hetimit parlamentar që ka vendosur gjykata kushtetuese.
Ne jemi absolutisht pro zgjidhjes së krizës politike, por jemi po ashtu absolutisht të vendosur të mos pranojmë injorimin që mund t'i bëhet Kushtetutës së vendit, themelit të demokracisë në një republikë parlamentare", - tha Halimi, duke konstatuar në të njëjtën kohë se në dispozitat e propozuara prej opozitës implementimi i Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe parimeve kushtetuese është zero.
Prandaj ka theksuar ai, vetëkufizimi i parlamentit për hetimin e çështjeve që kanë qenë objekt i shqyrtimit gjyqësor apo hetimor, është një detyrim, i cili duhet vendosur domosdoshmërisht në ligjin ekzistues, duke paralajmëruar edhe depozitimin e disa amendamenteve të reja nga grupi demokrat për këtë çështje. "Jo zotërinj kolegë.
Kjo që ju kërkoni është antikushtetuese, juve nuk mund të hetoni mbi gjithçka dhe në gjithçka, juve nuk mund të merrni çdo provë që dëshironi, madje dhe ato që ia kanë shqyrtuar njëherë gjykatat", - tha më tej Halimi.
Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i të zgjedhurve socialistë, të cilët edhe një herë kanë bërë një interpretim ndryshe nga homologët e tyre demokratë, si për sa i përket përcaktimeve që bënë Kushtetuta ashtu edhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas deputetes socialiste, Vasilika Hysa, është drejtë jo vetëm e deputetëve si të zgjedhur të popullit, por edhe e vetë qytetarëve për t'u njohur me atë se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara dhe sesi është numëruar vota e tyre.
Gjithashtu, Hysi ka këmbëngulur edhe një herë se hetimi që kërkohet të bëhet nuk ka për qëllim të ndryshojë rezultat dhe për këtë arsye nuk mund të konsiderohet si një hetim që shkon ndesh me vendimin e Kolegjit Zgjedhor.
"Kutitë e materialeve zgjedhore dhe me fletët e votimit që janë në administrim të KQZ janë dokumente zyrtarë dhe këtë na lejon jo vetëm ligji për komision hetimor parlamentar, neni 17, pika 2 që komisioni ka të drejtë të marrë dokumente dhe organet janë të detyruara t'ia vënë në dispozicion", - tha Hysi.
Sipas saj, me qëndrimin e tyre demokratët po injorojnë haptas nenin 23 të Kushtetutës për të drejtën e informimit. Gjithashtu, argumente të tjera pro lejimit të hetimit të zgjedhjeve me ligj, kanë dhënë edhe deputetët e tjerë socialistë, si Armando Subashi, Ermonela Felaj apo edhe Shegushe Ligori.
Por, pavarësisht morisë së shembujve të sjellë, demokratët nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre, duke deklaruar në mënyrë të qartë se kutitë nuk do të hapen. "Nëse keni vullnet të rregullojmë ligjet, ulemi t'i rregullojmë gjërat në bazë të raportit. Por, duhet të dini se kutitë nuk hapen", - tha deputeti demokrat Edi Paloka.
Pas më shumë se dy orë diskutime, kreu i komisionit, Ilir Rusmajli, ka ndërprerë diskutimet në parim për t'i vijuar ato ditën e hënë, pavarësisht kundërshtimit të deputetëve socialistë, të cilët kanë kërkuar që të vijojë mbledhja. Dje ka mbaruar edhe afati ligjor, brenda të cilit palët mund të depozitonin amendamente shtesë për projektligjin në fjalë.
Debatet
Eduard Halimi:
"Mund të them se këtij projektligji i mungon vendosja e standardeve dhe parimeve kushtetuese. Është absolutisht e rëndësishme që projektligji të riformulohet, duke vendosur në të kufijtë e hetimit parlamentar që ka vendosur gjykata kushtetuese.
Ne jemi absolutisht pro zgjidhjes së krizës politike, por jemi po ashtu absolutisht të vendosur të mos pranojmë injorimin që mund t'i bëhet Kushtetutës së vendit, themelit të demokracisë në një republike parlamentare.
Ata kërkojnë të hapin kutitë edhe pse këto i janë nënshtruar njëherë shqyrtimit gjyqësor, kërkojnë të bëjnë rinumëron të votave, edhe pse kjo kërkesë i është nënshtruar njëherë juridiksionit gjyqësor, kërkojnë të ribëjnë vetë gjyqtarin e kolegjit zgjedhor, me pretendimin se e bëjnë më mirë, pasi, sipas tyre, transparenca është çështje themelore.
Jo zotërinj kolegë. Kjo që ju kërkoni është antikushtetuese, juve nuk mund të hetoni mbi gjithçka dhe në gjithçka, juve nuk mund të merrni çdo provë që dëshironi, madje dhe ato që ia kanë shqyrtuar njëherë gjykatat."
Vasilika Hysi:
"Si në relacion dhe në diskutime del hapur që mazhoranca është kundër parimit të transparencës së zgjedhjeve që është elementi themelor i një demokracie. Ju po injoroni haptas parimin e së drejtës pa kufi të së drejtës për t'u informuar për organet ekzekutive për mënyrën e funksionimit të tyre. Ju mohoni të drejtën që ka publiku për t'u informuar për një çështje e rëndësisë së veçantë që janë zgjedhjet.
Në relacion të paraqitur dy ditë më parë, por të ritheksuar dhe sot në diskutim i jemi kthyer debatin në fillimin e vet pikërisht a është hetimi i zgjedhjeve një çështje e veçantë ose jo dhe janë vënë në diskutim faktet e përcaktuara në raportin e OSBE-se dhe të ODIHR, faktet e fundit të nxjerrë nga PS-ja, faktet e fundit që ka nxjerrë hetimi i Ruzhdies se ka të dhëna, dyshime të arsyeshme që e justifikojnë dhe e bëjnë të domosdoshme hetimin e zgjedhjeve.
Hedhja poshtë e ndryshimeve që po bëjmë ne për ligjin e komisionit hetimor parlamentar është injorim haptas i nenit 23 të Kushtetutës për të drejtën e informimit. Qëllimi për të këqyrur nuk është për të bërë rezulto dhe as për të bërë gjyqtarin, sepse atë ka kush ka të bëjë e ka përcaktuar Kushtetuta.
Nga ana tjetër, kutitë e materialeve zgjedhore dhe me fletët e votimit që janë në administrim të KQZ janë dokumente zyrtarë dhe këtë na lejon jo vetëm ligji për komision hetimor parlamentar, neni 17, pika 2 që komisioni ka të drejtë të marrë dokumente dhe organet janë të detyruara t'ia vënë në dispozicion.
Me këtë diskutim që bëtë sot, ju i kufizoni opozitës të drejtën ekskluzive që i ka dhënë kushtetuta, vendimi 18 i Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar objektin e hetimit dhe se kufizimet që po i bëni e bëjnë hetimin dhe, madje, ngritjen e komisionit hetimor, të panevojshëm. Unë ju premtoj se opozita nuk do të bëjë ato gabime që bëtë ju, ku Gjykata Kushtetuese i shpalli antikushtetuese 4 vendimet për komisionet hetimore"
Edi Paloka:
"Nuk është argument, ky është argument për ju, jo për ne"
Vasilika Hysi:
"Është argument, sepse i keni kërkuar ju, në këtë Parlament të ri nuk më lejohet të bëj ato gabime që kanë bërë paraardhësit tanë. Prandaj, Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Kolegjit Zgjedhor i japin të drejtë çdo lloj pakice që kërkon të ngrejë komision hetimor parlamentar ta ngrejë atë, së dyti, komisioni hetimor parlamentar ka të drejtë të këqyrë dokumente në përputhje me nenin..."
Nasip Naço:
"Shfrytëzoj këtë moment të përshëndes hyrjen në kuvend të deputetëve të opozitës duke shpresuar në produktivitetin e saj dhe bashkëpunimin e mazhorancës për proceset demokratike dhe liberalizimin e vizave"
Fino:
"Faleminderit Naço"
Naço:
"Në emër të grupit parlamentar LSI, shprehem parimisht dakord për ngritjen e këtij komisioni hetimor, duke shpresuar që mos gjejë zbatim shprehja që qarkullon tashmë se nëse do të mbyllësh një çështje krijo një komision hetimor.
Hipokrizia e kërkesës shfaqet hapur kur ju kërkoni që komisioni të funksionojë për 24 muaj çka dëshmon përpjekjen që të mbani nën presion mazhorancën dhe administratën dhe të pengoni vizat dhe të transferoni krizën e brendshme të PS në jetën e vendit. Do keni vullnetin që grupi i LSI të ketë sekretarin administrativ në komision?"