E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasen institucionet, raportohen shifra të ndryshme

Prezantohet studimi i parë Demografik dhe Shëndetësor. Vdekshmëria foshnjore 18 në 1000 lindje, Ministria, 12 në 1000 lindje, ndërsa INSTAT, 6 vdekje në 1000 lindje

Vdekshmëria foshnjore


Pabarazitë në shëndet, gjendja e të ushqyerit, qasja në shërbimet shëndetësore dhe niveli i njohurive për metodat e planifikimit familjar, HIV/AIDS-it, sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, si edhe të dhëna të tjera janë publikuar.


Këto janë disa nga të dhënat që u prezantuan dje në Studimin e parë Demografik dhe Shëndetësor (ADHS), ku ishin të pranishëm ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, specialistë të shëndetit publik, si edhe përfaqësues të UNICEF dhe organizmave të tjera ndërkombëtare.


Një nga shqetësimet që ngritën specialistët e Institutit të Shëndetit Publik ishte përplasja e të dhënave mes institucioneve, sepse për vdekshmërinë foshnjore INSTAT raporton shifra të ndryshme nga Ministria e Shëndetësisë dhe Studimit Demografik. Ndërkohë, specialistët shpjeguan arsyen e raportimit të shifrave në mënyrë të ndryshme nga institucionet.


Përplasja


Për pesë vitet e fundit, shkalla e vdekshmërisë për fëmijët nën pesë vjç është 22 vdekje për 1,000 lindje dhe e vdekshmërisë foshnjore është 18 vdekje për 1,000 lindje. "Informacioni për tendencën e vdekshmërisë foshnjore ofrohet edhe nga dy burime të dhënash në 12 vdekje për 1,000 lindje në 2007 (Ministria e Shëndetësisë, 2009).
Regjistrimi i INSTAT e vlerësoi vdekshmërinë foshnjore në 6 vdekje për 1,000 lindje pothuajse në të njëjtën kohë.


Pikërisht për këto luhatje të mëdha të shifrave, specialitet e shëndetit publik kanë kërkuar shpjegime në konferencë.


Diferenca në shkallën e vdekshmërisë foshnjore ndërmjet këtyre dy burimeve duhet të ketë lidhje me ndryshimet në mënyrën si ishte mbledhur informacioni, megjithatë të dyja burimet tregojnë tendencë në rënie të vdekshmërisë foshnjore", shpjeguan specialistët, duke theksuar se e rëndësishme është që të dhënat nga ADHS 2008-09 tregojnë se ka pasur një rënie të vdekshmërisë së fëmijëve, gjatë pesë viteve të fundit para studimit.


Arsyet


Specialistët e shëndetit publik shpjeguan disa nga arsyet e raportimit në shifra të ndryshme për vdekshmërinë foshnjore dhe fëmijërore. "Duhet të shpjegojmë se INSTAT për vdekshmërinë foshnjore mbështetet tek skedat e vdekjes së foshnjave. Prindërit marrin një pagesë për mirërritjen e fëmijës deri në një periudhë të caktuar dhe duke qenë se kur foshnja vdes u ndërpritet kjo pagesë ata nuk e deklarojnë", shpjegojnë specialistët.


Ndërkohë, studimi siç është në këtë rast ADHS mund të ketë një përqindje gabueshmërie, pasi janë intervistuar 8 mijë familje në gjithë vendin dhe përfaqësojnë të dhënat për gjithë vendin.


Sa i takon të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë për vdekshmërinë foshnjore, specialistët pohojnë se janë më të sakta se dy burimet e mësipërme, pasi ata bazohen në të dhënat që raportojnë mjekët dhe këta të fundit nuk kanë ndonjë interes për të fshehur të dhënat.


Vdekshmëria e foshnjave dhe e fëmijëve nën pesë vjç është me lartë në Shqipëri sesa në vendet fqinje. Ky është raportimi i studimit të parë Demografik dhe Shëndetësor, duke krahasuar normat e vdekshmërisë së fëmijëve në Shqipëri (sipas rezultateve të ADHS 2008-09) me vdekshmërinë në vende të tjera të Ballkanit (për periudhën 2000-2005) shihet se si vdekshmëria e foshnjave dhe e fëmijëve nën pesë vjç është me lartë në Shqipëri sesa në vendet fqinjë.


Ndërsa vdekshmëria foshnjore është 18 vdekje për 1,000 lindje në Shqipëri, në vende të tjera varion nga 4 në 16 vdekje për 1,000 lindje. E njëjta gjë vërehet për shkallën e vdekshmërisë për fëmijët nën pesë vjç; ndërsa në Shqipëri është 22 vdekje për 1,000 lindje, në vendet e tjera të Ballkanit varion nga 5 në 19 vdekje për 1,000 lindje.


Ndërkohë, profesori i Shëndetit Publik, Eduart Kakarriqi, theksoi se nivelet më të larta të arsimimit shoqërohen zakonisht me shkallë më të ulët të vdekshmërisë së fëmijëve, pjesërisht, sepse arsimi u jep grave më shumë informacion për ushqyerjen e fëmijës, sëmundjet, trajtimin e fëmijës dhe rëndësinë për largësinë e lindjeve.


"Në Shqipëri, ndryshimet në shkallën e vdekshmërisë, sipas nivelit të arsimit të nënës, tregojnë se fëmijët e nënave me arsim fillor ose më të ulët ka më shumë të ngjarë që të vdesin përpara vitit të parë ose të pestë të jetës, sesa fëmijët e nënave me arsim të mesëm ose më të lartë", pohoi Kakarriqi.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›