E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtron për vjedhje, vihet në pranga pronari

>Specialistët e krimeve kundër pronës në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër, kanë bërë të mundur mbrëmjen e së enjtes arrestimin e shtetasit, Armand Sala, 25 vjeç lindur në qytetin e Fierit dhe banues në atë të Tepelenës. Zëdhënësi i drejtorisë së policisë, tha se arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas, më datën 29 janar në mbrëmje, ka shkuar në lokalin dykatësh në Tepelenë, të cilin e ka marrë me qira vetë dhe e përdor si pikë llotarie dhe lojëra fati të firmësAPEKS, dhe ka kryer vjedhjen e një shume lekësh. Po sipas zëdhënësit, 25- vjeçari pasi ka hipur në tarracën e lokalit nga pjesa e pasme, është futur në ambientet e brendshme të korridorit, nëpërmjet derës së tarracës lënë hapur më parë prej tij. Më pas, me anë të një leve hekuri, ka shpërthyer derën e sallës, që shërbente si bar dhe loto, dhe atë të sallës me kompjutera lojëra fati të firmës APEKS, duke vjedhur në kasafortën e lokalit një shumë prej 158.800 lekësh dhe në banakun e lokalit një shumë prej 5.400 lekësh. Pasi ka kryer vjedhjen, autori është larguar në banesën e tij dhe në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ka njoftuar policinë e Tepelenës se i është vjedhur lokali, ku në kasafortë pretendonte se kishte një shumë prej 700.000 lekësh. Është bërë shoqërimi në ambientet e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër të disa punonjësve të dyshuar si vjedhës dhe nga veprimet hetimore dhe provat e grumbulluara në vendngjarje, është përcaktuar mekanizmi i vjedhjes. Policia ka provuar se shtetasi Armand Sala i kishte vjedhur vetë lekët, pasi kishte shlyer borxhet që kishte, dhe kishte shpenzuar një shumë prej 800.000 lekësh qysh më parë, shumë të cilën i detyrohej kompanisë APEKS të lojërave të fatit, tek e cila ishte punësuar. Nga kontrolli që iu bë në banesë këtij shtetasi, u gjet shuma prej 158.800 lekësh, të cilat i kishte vjedhur në kasafortë. Ato u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›