Buxheti i Ramës, më 3 shkurt sërish në fushëbeteje
>Këshilli bashkiak i Tiranës do të mblidhet më datë 3 shkurt, për të votuar për herë të tretë buxhetin bashkiak 2009. Burime zyrtare nga këshilli bashkiak bënë të ditur se kjo mbledhje do të zhvillohet me kërkesë të grupit të këshilltarëve socialistë, bazuar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore.
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishi ka njoftuar se në bazë të nenit 31 pika 3 dhe nenit 36 pika 2 është i detyruar të mbledhë këshillin bashkiak me rend dite, miratimin në parim të programit buxhetor afatmesëm për vitet 2009-2011 dhe për miratimin e detajimit të buxhetit të bashkisë së Tiranës, për vitin 2009. Por edhe nëse mbledhja e këshillit bashkiak do të ishte refuzuar nga kreu i saj, këshilli sipas ligjit do të mblidhej pa praninë e tij brenda 5 ditëve nga depozitimi i kërkesës në rastet kur atë e kërkojnë një e treta e këshilltarëve. Projektbuxheti i bashkisë së Tiranës në këtë vit elektoral u rrëzua dy herë në këshill bashkiak, pasi këshilltarët e PD-së dhe ata të LSI- së i bashkuan votat për të mos lejuar miratimin e tij. Në fakt, asnjëra palë nuk ka dashur ta pohojë si politik faktin e bllokimit të buxhetit, por sipas tyre gjithçka është bërë në dobi të buxhetit dhe investimeve të parashikuara në të. Shumica e krerëve bashkiakë janë shprehur kundër projektbuxhetit të Ramës, vetëm për faktin se ai nuk është i detajuar, çka do të thotë se investimet e e parashikuara nuk tregohen saktësisht me vlerë dhe vendet ku do të kryhen. Po ashtu, krerët e minibashkive kanë qenë kundër projektbuxhetit edhe për faktin se ai linte hije dyshimi porsa i preket investimeve, një pjesë e të cilëve ose janë realizuar ose duhet të ishin realizuar që në vitin 2008. kështu, të ndodhur përballë një mungese transparence të theksuar për këtë nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, krerët e minibashkive i kanë kërkuar këtij të fundit që ta rishqyrtojë projektbuxhetin, në të kundërt sipas tyre ai nuk do të votohet. Ndërsa data 3 shkurt duket se do të jetë shesh-beteja e radhës për Ramën, i cili në të vërtetë e humbi dy herë radhazi.