E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Berisha bëri krimin e Gërdecit, Rama krijoi alibinë

>Kreu i LSI kërkon nga kryebashkiaku i Tiranës të  bëjë  transparente shpenzimet e parave të  qytetarëve
Kryetari i LSI, Ilir Meta në një takim të zhvilluar dje në Pallatin e Kongreseve me qytetarët e Tiranës, ka premtuar se ndryshimi për Shqipërinë do të vijë së shpejti. Në fjalën e tij Ilir Meta akuzoi Ramën dhe Berishën si bashkëpunëtorë në krimin e Gërdecit. Sipas Metës  ishte Rama  që  përforcoi pozitat e kryeministrit Berisha, i cili sipas tij duhet të largohej menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit. Po të ishte për LSI, Berisha do të kishte ikur nga pushteti një ditë pas tragjedisë së Gërdecit. Por ishte Rama që e shpëtoi Berishën nga largimi dhe që e forcoi qëndrimin e tij me miratimin e ndryshimeve kushtetuese me 21 prill. Nuk ishte LSI qe veproi per dobësimin e kompetencave te presidentit. Ishte zoti Rama që kapitulloi para Berishës, duke sjellë dëme kushtetuese e institucionale. Gërdec-qeveria dhe bunker-bashkia nuk mund të jenë me qeverisës të Shqipërisë. Ne synojmë bashkëqeverisjen me të gjithë shqiptarët, ka shtuar Meta. Gjatë fjalës së tij, kreu i LSI, deklaroi se nëpërmjet politikave tona stimuluese e sociale do të nxisim e gjallërojmë zhvillimin e shpejtë të biznesit dhe hapjen e mëtejshme të tregut për investime vendase dhe te huaja, në mënyrë që të rrisim numrin e të punësuarve dhe të reduktojmë sa më shumë varfërinë.  Opozita e LSI gjatë këtyre katër viteve, tha Meta, ka qenë jo vetëm parimore e konstruktive, por edhe shumë konkrete dhe aktive në drejtim të forcimit të dimensionit social të shtetit.Gjithashtu, pohoi Meta ne asistuam në një ngjarje të jashtëzakonshme, inaugurimin e presidentit te SHBA, Barack Obama që ka ringjallur shpresën për ndryshim. Frymëzimi nga kjo shpresë po vjen edhe në Shqipëri, e lodhur nga keqqeverisja aktuale. Ky ndryshim vjen duke i dhëne jetë solidaritetit social dhe duke luftuar pa kompromis varfërinë.Ai ka theksuar se LSI është në gjendje që tiu ktheje shqiptarëve besimin tek institucionet shtetërore dhe ka shprehur bindjen se më 28 qershor, shqiptarët do ti japin votën LSI-se. Shqipëria ka shpresë për të ndryshuar. Shqiptarët më 28 qershor do çlirojnë energjitë e tyre për LSI. Ne po punojmë për një program të ri që synon zhvillimin dhe nuk do lejojmë që varfëria të vrasë dinjitetin e shqiptarëve, ka deklaruar Meta, i cili ka saktësuar se programi në fjalë përfshin të gjithë sektorët dhe kategoritë, në veçanti atë të shëndetësisë dhe atë të ushtarakëve në pension. Meta tha se LSI ka jo vetëm një vizion të  qartë  për ta shëruar shëndetësinë  dhe për ti shndërruar spitalet e qendrat shëndetësore ne institucione dinjitoze, por kemi edhe dhembshurinë dhe përkushtimin për ti shërbyer shëndetit dhe jetës së shqiptarëve. LSI,- tha Meta,-ka paraqitur prej një viti ne Kuvend projektligjin për kujdesin ndaj moshës së tretë, një projektligj i standardeve europiane që i ofron moshës së tretë në vendin tonë shërbime sociale të garantuara nga ligji. E kemi realizuar këtë projektligj pas një pune shumë këmbëngulëse me sindikatën e pensionistëve. Kemi marrë vlerësimet më të mira nga grupet parlamentare për këtë projektligj, por çuditërisht ky projektligj, në mënyrë antidemokratike dhe në kundërshtim me gjithë procedurat parlamentare, nuk vendoset për debat dhe aq më tepër për aprovim, sepse demagogu Berisha kujton se mund të gënjejë dhe mashtrojë moshën e tretë në Shqipëri me një shpërblim të papërfillshëm që jep gjatë vitit të ri, dhe jo duke aprovuar një ligj, që është një detyrim jo vetëm moral, jo vetëm shoqëror, por edhe ligjor. Më tej kreu i LSI ka kritikuar Edi Ramën në cilësinë e kryetarit të bashkisë, se nuk ka bërë transparent destinacionin e taksave të paguara nga qytetarët e Tiranës. Do të ftoja kryetarin e bashkisë që të bëjë transparent procesin e destinacionit të taksave që paguajnë qytetarët. Mungesën e kësaj transparence ai nuk mund ta fshehë për arsye të rëndomta, duke folur për bashkëpunimin Meta-Berisha. Kjo është një situate për të ardhur keq për kreun e bashkisë së Tiranës, që e di mirë se cili është kontributi im për kryeqytetin, ka nënvizuar Meta. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›