E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mashtronin gjermanët përmes Call Center, GJKKO lë në burg 4 anëtarët e grupit, 3 në arrest shtëpie

Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masat e sigurisë për 7 anëtarët e një grupi kriminal që mashtruan qindra qytetarë gjermanë përmes një Call Center të paligjshëm në Tiranë.

Katër prej tyre janë dërguar në arrest me burg; bëhet fjalë për Emiljano Sejdillarin, Tafil Dyrmishin, Sokol Krasniqin dhe Eltion Logun, ndërsa tre të tjerë, Lisjane Çulani, Mateo Llozhi dhe Kejdi Nuka, janë lënë nën arrest shtëpie.

Një nga anëtarët e grupit është larguar jashtë vendit dhe është në kërkim nga autoritetet shqiptare. Ky operacion u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane, duke shtrirë hetimet edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Grupi kriminal përdorte një Call Center në Tiranë, ku telefononte qytetarë gjermanë, duke u prezantuar si oficerë policie dhe u premtuar rikuperimin e parave të humbura në investime në Forex dhe kriptovaluta.

Sipas hetimeve, dëmi i shkaktuar nga ky grup arrin në mbi 360 mijë euro, ndërsa përmes ndërhyrjes së autoriteteve shqiptare dhe gjermane është parandaluar një vjedhje me vlerë rreth 10 milion euro.

Hetimet mbi rastin në fjalë kishin nisur prej më shumë se 18 muajsh.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›