E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrimi në gjimnaz, në fund të verës

Arsimi i mesëm, regjistrimi në shkolla, jo në qershor, por në fund të muajit gusht. Shkolla nis më 6 shtator

Pranimet në institucionet parashkollore do të nisin më 30 gusht. Kush ka mbushur gjashtë vjç qëndron në kopsht deri në fund të shtatorit


Regjistrimet në gjimnazet publike, shkollat artistike apo ato sportive, për këtë vit nuk do të kryhen gjatë muajit korrik, por para nisjes së vitit shkollor. Ministria e Arsimit i është rikthyer sërish skemës së vjetër të regjistrimit në shkollat e mesme.


Një vit më parë MASH aplikoi një tjetër skemë për regjistrimin e nxënësve, i cili nisi më 29 qershor dhe u mbyll gjatë javës së parë të korrikut. Por këtë vit, për shkak të ndryshimit edhe të procedurave të maturës shtetërore, MASH ka ndryshuar sërish skemën e regjistrimit.


Duke qenë se të gjitha shkollat e mesme janë mobilizuar në Maturën Shtetërore, është menduar që pranimet e të rinjve në shkollë të nisin pasi në shkolla të ketë përfunduar procesi i plotësimit të formularit A2.


Pak muaj më parë, vetë Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, siguroi nxënësit se Matura shtetërore do të përfundonte në 30 qershor dhe se këtë vit nuk do të kishe formular A3 dhe A4, por gjithçka do të përfundonte me formularin A2. Në këtë mënyrë pas përfundimit të plotësimit të formularit A2 të gjitha shkollat do të nisin punën për regjistrimin e nxënësve të rinj, të cilët do të nisin mësimin me 6 shtator.


Të gjithë nxënësit që kanë përfunduar klasën e nëntë do të drejtohen për regjistrim në shkollat e mesme në fund të verës. Sipas udhëzimit të MASH, regjistrimi në shkollat e mesme do të bëhet në bazë të ndarjes territoriale dhe jo kundrejt dëshirës së nxënësve.


Vendimi i dalë nga drejtoritë arsimore vlen për të gjithë drejtoritë e shkollave, ndërsa pas afatit të fundit të caktuar, nuk do të lejohet regjistrimi i asnjë nxënësi në arsimin e mesëm. Për të kryer regjistrimin, nxënësi duhet të paraqesë në sekretarinë e shkollës, ku do të vazhdojë të ndjekë arsimin e mesëm, dëftesën e shkollës 9-vjçare.


Pranimet në shkollat profesionale, gjuhëve të huaja, si edhe seksionet dygjuhëshe italiane, do të bëhen me konkurs, datat e të cilave do të përcaktohen nga MASH. Për të marrë pjesë në konkurs, kandidatët duhet të dorëzojnë në sekretaritë e shkollave përkatëse: fotokopje të noterizuar të dëftesës së lirimit, të firmosur në Drejtorinë Arsimore Rajonale, certifikatë lindjeje me fotografi të vulosur nga shkolla, ku kandidati ka marrë dëftesën e lirimit, si edhe kërkesë për degën që do të studiojë.


Kopshtet


Po në fund të verës do të nisë regjistrimi edhe në institucionet arsimore parashkollore. Edhe për pranimin në kopshte do të aplikohet kriteri i ndarjes territoriale. Në këtë mënyrë, prindërit që dëshirojnë të regjistrojnë fëmijët në institucionet e ciklit parashkollor duhet të paraqesin një vërtetim nga njësia bashkiake në të cilën jetojnë.


Lista e dokumenteve që duhet të dorëzojnë prindërit plotësohet nga një certifikatë vaksinimi e lëshuar nga qendra shëndetësore, si dhe certifikata familjare. Në një njoftim publik, Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës kujton të gjithë prindërit se fëmijët që kanë mbushur moshën shkollore, pra 6 vjç, mund të qëndrojnë në kopsht deri në fund të muajit shtator.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›