E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndjeshmëri e lartë, vetëdije e ulët

Për trashëgiminë kulturore në rrezik nuk flitet pak, por në njëzet vjet nuk ekziston ndonjë padi kundër shkeljeve dhe dëmit që i bëhet nga qytetarë dhe institucione: vetëdije e ulët qytetare dhe shtet i dobët ligjor.


Promemorjes së tryezës së djeshme i shtohet shqetësimi për reformën e pastudiuar në sistemin e trashëgimisë. Pak metra më tej Ministri i Kulturës shton numrin e ciceronëve


Shqetësimet për trashëgiminë kulturore paraqitur sipas një rendi dhe pretendimi paraprak dhe ca si teorik, morë dje formën e promemorjes drejtuar Presidentit të Republikës, Kuvendit, Kryeministrit, Ministrisë së Kulturës, Akademisë së Shkencave dhe dy shoqatave: të Bashkive dhe të Komunave.


Në e emër të Qendrës Shqiptare të Trashëgimisë Artan Lame ua la fjalën përfaqësuesve të organizatave jo-qeveritare të fushës së kulturës dhe qytetarëve dashamirës të trashëgimisë.
Siç ndodh në tryezat ku shtrohet për debat një temë e përgjithshme, duhet pak kohë nderi sa njerëzit të ulen në tokë dhe t'i argumentojnë idetë e tyre mbi një bazë të dhënash apo të prirjes aktuale që shfaq fenomeni në shqyrtim.


Diskutantët e fillonin me pesimizëm dhe bindje se secili po thoshte fjalën e fundit, por pak nga pak zinte njëfarë shprese kur propozoheshin ide që dikur iu konvertonin dhe që mund të ndjekin një zhvillim konkret.


Institucioni shtetëror dhe vetëdija qytetare u vunë në dukje si dy armët kryesore në kauzën për trashëgiminë në rrezik, armë që rezultojnë të ndryshkura.


Arkitekti Maks Velo kritikoi vetëkënaqësinë e Institutit të Monumenteve të Kulturës që s'është në gjendje të na japë një inventar të historisë së shkatërrimeve të trashëgimisë monumentale të para dhe pas viteve nëntëdhjetë. Si qytetarë, tha Velo ne nuk bëjmë atë që kemi për detyrë të bëjmë.


Ndërgjegjja dhe kultura e pakët e shqiptarëve për ruajtjen e trashëgimisë, është faktor që e shtyn kohën prapa. Publicisti Fatos Lubonja sheh "këtë katastrofë si rezultat i të gjithë neve", por përgjegjësinë kryesore ai vesh institucioneve që "kanë në dorë vendimmarrjen. Këto u kapën dhe u kthyen në institucione të pastrimit të parave të zeza dhe tentuan të manipulojnë opinionin publik.


Duhen denoncuar këto institucione nga shoqëria civile dhe si mund të bëhen më mirë."
Çështja e edukimit të të rinjve, njohja dhe përgjegjësia e tyre përballë trashëgimisë sipas pedagoges së arkitekturës Vera Bushati është një marrëdhënie që krijohet qysh tani me të ardhmen. Ajo hodhi poshtë paragjykimet për mungesë literature studimore për trashëgiminë shqiptare.


"Literatura është dhe është shumë e pasur", tha Bushati, por ndryshon puna për objekte të shek. XX. "S'ka asnjë arkiv për monumentet e pjesës së parë të shek. XX. Duhet ngritur ky segment i arkivit.


Ndërsa në Arkivin e Ministrisë së Ndërtimit studentët tanë, po edhe profesionistë nuk kanë akses. Kjo është paradoksale."
Gjysma e dytë e takimit u përqendrua tek aksioni konkret. Çfarë mund të bëhet?


I vetmi përfaqësues i ndonjë institucioni shtetëror i pranishëm, Gjergj Bojaxhi kreu i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, nuk e vuri në dyshim edukimin si element thelbësor dhe i pazëvendësueshëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por mosrespektimin i ligjit në fushën e ndërtimit pranë zonave me vlera historike e arkeologjike është çështje e daljes nga normat e jo më e edukimit.


Bojaxhi tha Inspektorati që ai drejton prej pak kohësh, ka filluar në këto zona procedurat dhe ndoshta qysh këtë verë do të bëhet pastrimi i këtyre objekteve. "Do doja të ngrija një çështje që në mënyrë të veçantë do t'ia kërkoja medias", tërhoqi vëmendjen Bojaxhi.


"Në trajtimin e këtyre problemeve shpeshherë vërej një fenomen: diskutohen gjëra të rëndësisë së pestë dhe kalohet shumë shkarazi që këto janë ndërtime pa leje në toka publike. Tendenca është më shumë për të bërë melodramë dhe për t'i qarë hallin atij që i prishet objekti i ndërtuar pa leje edhe në zona të rëndësisë së veçantë, siç janë zonat arkeologjike."


Pranë Bojaxhiut, arkitekti dhe ish drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Artan Shkreli përmendi rastin shumë të stërzgjatur të ndërtimeve në Kalanë e Lezhës, ose në Krujë.


Ai e siguroi zotin Bojaxhiu që "ne si shoqëri civile nëse ka një lloj njoftimi për raste të tilla, vijmë dhe bëhemi sfond i ndërhyrjes në zonat monumentale dhe në trashëgiminë kulturore, duke ju siguruar dhe ju një mbështetje morale".


Lorenc Bejko nga Universiteti i Tiranës dhe Qendra Ndërkombëtare për Arkeologjinë Shqiptare falënderoi zotin Lame për këtë përpjekje e cila bashkon ushtarë të izoluar në një zë pak të më fortë.


"Me ketë zë pak më të fortë besoj mund të kemi një impakt real në institucionet e shtetit po edhe në shoqëri në përgjithësi." Bejko e solli rrymën e diskutimeve në një çështje aktuale, të reformimit të sistemit të trashëgimisë.


"Po bëhen përpjekje për reformimin pothuajse rrënjësor të sistemit të trashëgimisë kulturore në vend. Me sa jam i informuar, parlamentit shqiptar është duke i shkuar këto ditë një material që do të votohet dhe do të marrë formën e disa ndryshimeve të rëndësishme ligjore.


Unë personalisht duke përfaqësuar edhe zërin e disa kolegëve të tjerë, jemi të shqetësuar thelbësisht për ndryshimet e propozuara dhe mënyrën se si është arritur deri në këto propozime".


Bejko, arkeolog dhe një ish drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, shpreson një që nga kontributet e këtij takimi mund të ishte edhe kërkesa për një studim më të detajuar dhe të saktë të rrugës që sheh sistemi i trashëgimisë shqiptare në të ardhmen e vet të afërt.


Duke iu referuar njërës prej pikave të Promemorjes, asaj që shpreh nevojën që bashkitë dhe komunat të integrojnë edhe në planin e zhvillimit të territorit çështje të trashëgimisë kulturore, Bejko shtoi se qeverisë qendrore i duhet kërkuar seriozitet studimi i efekteve mbi mjedisin. "Këtu u fol për fakte që lidhen me zhvillimin dhe ndërtimin e vendit, të infrastrukturës kryesisht dhe të efektit që kjo infrastrukturë ka mbi trashëgiminë mjedisore dhe kulturore të vendit.


Besoj se shoqëria shqiptare ka ardhur tani në momentin kur - duhet ta theksojë fort dhe kjo tryezë mund të ndihmojë - nuk mund të anashkalohet në procedurën në transformimin e territorit të vendit studimi i impaktit mbi mjedisin dhe mjedisin kulturor në veçantë." Këtu e ai e kishte fjalën për autostradën e madhe të veriut, për rrugën në Butrint, dhe për çdo vepër të madhe publike që ndërtohet në mënyrë të paplanifikuar siç duhet.


Po dje, në të njëjtën orë, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Ferdinand Xhaferaj kishte takim me të vetët, me strukturat në rrethe për Trashëgiminë Kulturore dhe Turizmin.


Ministria ka thënë se "sezoni turistik ka filluar mjaft mirë me impenjimin e pastrimit të plazheve", por nuk mjafton. Ai u ka dhënë të pranishmëve lajmin se Drejtoria e Buxhetit në MTKRS ka planifikuar pagesën e ciceronëve shtesë për qytetin e Durrësit, Shkodrës, Beratit, Apolonisë, Krujës dhe Gjirokastrës. Do të punojnë me orare të zgjatura për këtë periudhë me fluks turistësh "pasi imazhi turistik është dhe do të jetë një nga angazhimet më të mëdha të Politikave Turistike".


Gjergj Bojaxhi: Edukimi? Këtu njerëzit ndërtojnë pranë varrit të heroit


"Padyshim që edukimi është në element thelbësor dhe i pazëvendësueshëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por në një vend ku njerëzit ndërtojnë, objekte pa leje, dyqane apo shtëpi pranë varrit të heroit tonë kombëtar, kjo nuk mendoj se është një çështje edukimi. Kjo do të thotë që ka individë që nuk e kanën frikën e ligjit dhe nuk e dinë çfarë dos të thotë frikë nga ligji."


Lorenc Bejko: Kush e mbron trashëgiminë që nuk njohim?


"Dua të ngre shqetësimin për ruajtjen e asaj pjese të trashëgimisë shqiptare që ende nuk e njohim, që ende nuk është dokumentuar. Ruajtja e asaj nuk mund të marrë formë reale. Sitet arkeologjikë janë të shumta dhe të padokumentuara ende, objektet e arkitekturës qoftë tradicionale, qoftë të më të reja, janë objekte edhe ato të padokumentuara. E vë theksin te edukimi dhe te nevoja reale për të formuar profesionistë të trashëgimisë kulturore dhe të arkeologjisë."


Ylli Manjani: T'i lemë retorikat boshe. Të ushtrohet e drejta e padisë

Ylli Manjani, gjeti përkrahës dje kur u shpreh me gjuhën e profesionit të vet, të juristit. Ka një rrugë të pashkelur thotë ai, që në situatat e panumërta qorre që ka krijuar tranzicioni shqiptar, po të ndiqej do të kishte efekt. Manjani propozon rrugën ligjore për kundërvajtësit e trashëgimisë, qofshin qytetarë me ndërtimet e tyre ilegale apo dhe institucione të pushtetit vendor që abuzojnë me ligjin.

Z. Manjani, ju propozuat rrugën ligjore për veprim. Nga duhet filluar?


Ajo që propozova në thelb ishte kjo: t'i lemë retorikat boshe, të dalim nga tradita që një grup njerëzish mblidhen dhe flasin ndërkohë terreni, realiteti është krejt tjetër gjë. Duhet provuar ajo që bën gjithë bota: shoqëria civile është shumë aktive në procedura gjyqësore.


Kjo do të thotë: ligjet janë në Shqipëri, pra legjitimohet shoqëria civile, shoqatat që të ngrenë padi gjyqësore, të jenë palë në procesin administrativ po edhe gjyqësor që të dalin palë kundër shtetit, kundër vendimeve të shtetit që prishin trashëgiminë kulturore. Kjo ndodh edhe në rastet kur publiku ose individë të veçantë nuk e ushtrojnë të drejtën e padisë.


Ju thatë se nuk ekziston asnjë padi për trashëgiminë kulturore që të dëshmojë se shoqëria civile është e vetëdijshme për mënyrën si duhet të luftojë për të drejtat e saj.


Cilës periudhë i referoheni?


Në njëzet e vitet e fundit, me sa di unë, për trashëgiminë kulturore dhe për këto çështje që flitet sot, asnjë padi nuk është ngritur. Për çështje të tjera shoqëria civile ka ngritur padi. Është mungesë edukate ligjore, aq më tepër që jetojmë në një mjedis që s'dimë kujt t'ia vëmë fajin, popullit apo shtetit.


Çfarë do ta nxiste këtë gjë sot?


Unë besoj që ky është diskutim elitar. Këto gjëra i nxisin elitat, nuk vijnë as nga politika, as nga fryma popullore. Elitat që janë të interesuara që iu dhemb trashëgimia kulturore që e kanë me shpirt këtë punë. Procedura ligjore është e mundshme që ata ta shprehin ose të jenë palë kundër atyre që e shkatërrojnë trashëgiminë, deri në gjyq.


Mund të përmendi së fundi ndonjë rast që mund të hapte rrugën?


Ka pasur plot... Unë jam nga Lezha dhe është e paprecedentë ajo që po ndodh me Kalanë e Lezhës. Në gjithë pjesën rrethuese të saj, po ndërtohet pa kriter, nuk ndërhyn askush, përdoren gurët e kalasë për të bërë shtëpi. Kjo është e patolerueshme dreqi e mori. Ose ka vendime të KRT-ve të bashkive, edhe në Tiranë, edhe jashtë Tiranës që as e marrin në konsideratë.

Përse është kaq "i fuqishëm" dhe "i pavarur" pushteti vendor?


Problemi i trashëgimisë kulturore me sa duket është ky: ende mungon reagimi popullor. Përderisa ka një reagim të dobët popullor, është e qartë që edhe shteti e ul fuqinë mbrojtëse. Prandaj thashë që është një diskutim elitar, gjëra që u takojnë elitave, njerëzve që merren me ketë punë.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›