E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mashtruesit” e Kosovës, së shpejti serial



Pasi është shpërblyer me çmimin special në Festivalin e Filmave në Tiranë, filmi i metrazhit të shkurtër “Mashtruesit”, me skenar të Selatin Ademit dhe Agim Apollonit, e në regji të Dalmat Dobrës, së shpejti do t’i filloj xhirimet edhe për serial. Ky njëherësh është edhe filmi i parë në të cilin ka punuar skenarin Ademi. Filmi trajton një temë reale në Kosovë, që pak skenaristë pothuajse e kanë prekur, kurse ekziston dukshëm në mesin tonë. Dy gangster kërkojnë nga fëmijët që ata ta shtrijnë dorën nëpër rrugët e Prishtinës, që këtyre t’iu sigurojnë shumë të majme parash.

Aktori Arben Bajgora, i cili luan njërin prej gangsterëve, për mrekullisht ka arritur të futet në botën e vështirë mafioze. Gjatë filmit, Bajgora po të analizohet thellë, jep imazhin e një mashtruesi bindës, të cilit asgjë nuk i bëhet vonë. I pa mëshirshëm ndaj botës engjëllore të fëmijëve, ai me kolegun e tij, gjatë tërë filmit, me një sinqeritet i bind fëmijët e pa fajshëm që ata ta shtrijnë dorën, gjë të cilën edhe e arrijnë. Por, në jetën normale Bajgora është një person krejtësisht tjetër, dhe të futesh në një botë të tillë kërkohet sinqeritet ndaj vetës, korrektësi më vetën dhe besim të plotë në atë që bënë. Shumë aktorë e kanë të vështirë ta përshtatin personazhin e vdekur në vetën e tyre, përse po them të vdekur? Çdo personazh para se të inskenohet pothuajse është i vdekur, aktori është ai i cili ia jap shpirtin dhe hulumton kodin e tij. Personazhi i shkruar është vetëm përjetim individual, kurse aktori e bënë kolektiv, e këtë gjë në mënyrë profesionale Bajgora e kishte arritur. Ndërsa, aktori Ademi i cili luan rolin e një burri që jeton me një grua dhe një fëmijë të vogël të mashtruar nga Benda kriminale, na jep imazhin e një burri të urtë, por që ja pret mendja për çdo gjë. Ai këtë e dëshmon në momentin kur fillon ta përcjell djalin e tij, i cili është nisur në vendin e kriminelëve për t’iu sjellë paratë. Biografitë e personazheve janë ndërtuar mirë, gjatë filmit ka skena të mrekullueshme edhe pse janë realizuar me një teknikë të dobët, kanë arritur të futen në psikologjinë e njeriut. Çdo skenë, në vete kishte një estetikë të veçantë, mirëpo ekzistonin disa probleme të vogla të cilat zërin e përcjellin me një shushurimë, por kjo nuk paraqiste ndonjë pengesë. Ky ekip i shfaqjes na ka bindur se me një teknikë të tillë, njeriu mund të bëjë një mrekulli të vërtetë, atëherë nga kjo del se paraja nuk e bënë artin, por dashuria, sinqeriteti dhe ekstaza e tepruar ndaj këtij profesioni. Kuadrot ishin të krijuara mirë dhe jo të vrazhda për syrin tonë.

Ndërkaq, montazhi ishte në nivel të mirë artistik. Skenografia natyraliste përshtatej me temën e filmit, dhe në asnjë moment nuk ishte e tepërt apo e mangët, por gjithnjë e mjaftueshme dhe e mrekullueshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›