Rusia, mes fatalizmit dhe shpresës
Në të nëntëmbëdhjetën ditë të janarit (2009-shën. im), Stanislav Markelov, avokati i një familjeje çeçene, vajza tetëmbëdhjetëvjeçare e së cilës ishte rrëmbyer, dhunuar dhe vrarë nga ushtarët rusë në vitin 2000, mbajti në Moskë një konferencë për shtyp për këtë çështje. Kur mbaroi takimin me shtypin, avokati Markelov mori udhën drejt metrosë, i shoqëruar nga Anastasia Baburova, një gazetare 25-vjeçare që punonte për "Novaya Gazeta" - e përjavshme e pavarur, me të cilën bashkëpunonte Ana Politkovskaja, vrarë dy vjet më parë në shtëpinë e saj në Moskë. Markelovi dhe Baburova ishin duke ecur përgjatë një rruge që rrihet shumë nga kalimtarët, në qendër të kryeqytetit rus, kur një njeri me maskë qëlloi Markelovin me një plumb në shpatull. Baburova iu turr vrasësit, që u kthye drejt saj dhe e qëlloi me një plumb vdekjeprurës. Ishte ora tre e pasdites dhe të dyja vrasjet ndodhën thuajse disa qindra metra larg Kremlinit.
Rusët janë më se të ndërgjegjshëm për faktin se në vendin e tyre, liria e shprehjes është e cunguar. Gazetarë të pavarur dhe avokatë të përfshirë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut janë vrarë dhe deri më tash, drejtësia nuk ka mundur dot të gjejë fajtorët. Kësisoj, është logjike të ngrihen dyshime për vullnetin e munguar të drejtuesve të lartë të ekzekutivit rus, në forcimin e shtetit të së drejtës në vend. Nga ana tjetër, janë këta të fundit që kanë mbështetjen e pjesës dërrmuese të rusëve, të cilët i zgjedhin vetë nga një legjislaturë në tjetrën. Le të përpiqemi të kuptojmë arsyet e kësaj situate.
Pjesa dërrmuese e popullatës ruse i konsideron këta qeveritarë si shpëtimtarë, të cilët kanë vënë rend në Rusi. Historikisht, rend ka qenë dhe mbetet ende një fjalë magjike në këtë vend. Rendi duket të jetë për shumicën e rusëve një mbivlerë, në altarin e së cilës janë të gatshëm 'të bëjnë kurban' vlerat thelbësore të shtetit të së drejtës, si drejtësia, liria e shprehjes dhe të drejtat e njeriut. "Për të pasur rend, populli rus duhet të sakrifikojë për të", - thotë një personazh te "Vëllezërit Karamazov" (Bratja Karamazovi) të Dostojevskit. Rusët janë të ndërgjegjshëm që vendi i tyre është larg së qeni vend demokratik, nëse u referohemi koncepteve evropiane për demokracinë. Në këtë çështje, shumë prej tyre e gjejnë me vend konstatimin se Rusia, dhe jo Evropa, duhet të kryejë rrugëtimin e saj drejt shtetit të së drejtës.
Në udhëtimet e mia të fundit në Moskë, kam dëgjuar në mënyrë të stërpërsëritur të flitet për mungesën e traditës së tolerancës në Rusi. Njerëzit ankohen shumë se mungon toleranca, por pak nga ta ia dinë kuptimin këtij termi. Një njeri i letrave më bëri me dije se letërsia ruse, si një pasqyrim i pastër i shoqërisë, gëlon nga intoleranca, që nga Ana Karenina dhe bashkëshorti i saj, e deri te Vronski, që nga Ivani racional dhe Mitia emocional, e deri tek asketi Aljosha Karamazov. Në momente të veçanta, regëtinë ca rreze shprese se Rusia do të konvertohej në një vend me shoqëri më tolerante dhe më demokratike. Por, intolerantët po marrin gjithnjë e më shumë terren, ndërsa totalitarizmi dhe autokracia po fitojnë dita-ditës fuqi e pushtet.
Mungesa e traditës së tolerancës, nevoja për një pushtet të fuqishëm dhe një ndërgjegje idiosinkrazie*) për vetveten, shenjojnë të tashmen dhe të ardhmen e Rusisë. Evropa ka nevojë për Rusinë, ashtu si Rusia ka nevojë për Evropën. Të dyja bashkë kanë nevojë të mirëkuptojnë njëra-tjetrën, ashtu siç evropianët duhet të jenë më kërkues në shpjegimet që duhet t'u japin rusët, sa i takon fajësimit të vrasësve, krimet e të cilëve mbeten ende pa ndëshkim. Ashtu si edhe për ndërmarrjen e hapave para në drejtim të shtetit të së drejtës, në të mirë të vetë Rusisë, brenda dhe jashtë vendit.
Një javë më parë, një zonjë që e njoha në shtëpinë e një mikut tim moskovit, me foli troç: "Bashkëshorti im ka qenë fans i Stalinit". Dhe në ndërgjegjen e shumë rusëve Stalini ka mbetur ende gjallë. Për këtë arsye, varri i tij gjendet akoma në "Sheshin e Kuq", e për këtë arsye, njerëz të panjohur plot përvuejtshmëri, vendosin atje lule të freskëta ditë për ditë. Në një anketim të kohëve të fundit, kryer nga një rrjet televiziv nga më të njohurit në Rusi, pyetjes se cili ishte 'personazhi më i vlerësuar' i historisë ruse, i përgjigjeshin se Stalini vlerësohej në vend të dytë, pranë Pushkinit, të tretit në radhë, e më pas vendin e zinte 'cari i fundit'. Si mund të ndodhë diçka e tillë? Sepse në Rusi nuk ka memorie kolektive; ekziston një lloj diversiteti kujtese ose, për ta thënë me fjalë të tjera, një memorie e fragmentarizuar. Shumë-shumë, ndryshe nga Gjermania dhe gjermanët, në vizionin e tyre të përbashkët për trajtimin e 'nazizmit' dhe analizimin e thellë e të detajuar në atë që ka qenë për ta e shkuara totalitariste; si edhe me atë të vendeve të lindjes së Bashkimit Evropian, për perceptimin që ata kanë për të shkuarën komuniste. Në kontrast me to, Rusia nuk ka mundur aspak t'i nënshtrohet një procesi reflektimi të thellë e kritik mbi totalitarizmin sovjetik.
Vasili Grosman, autori i romanit "Jeta dhe fati", pohon se intoleranca e Leninit dhe Stalinit, papajtueshmëria e tyre me të gjithë ata që mendonin ndryshe nga ata vetë, përçmimi për lirinë dhe mizoria ndaj armiqve të tyre, kishte lindur dhe ishte farkëtuar kohë e kohë më parë, në humbëtirën e mijëvjeçarit të skllavërisë, dhe jo të lirisë ruse. Ky autor, njëherazi shquan se në admirimin që shpreh ndaj asketizmit puritan bizantin dhe të përuljes kristiane, qenia dhe shpirti rus, nxjerrin në pah në mënyrë të pavullnetshme “karakterin e pathyeshëm” ndaj skllavërisë ruse. Ky asketizëm dhe kjo përulësi - e njëjtë me 'fenë e Leninit' dhe mizorinë diabolike të Stalinit - kanë të njëjtën origjinë: mungesën mijëravjeçare të lirisë së popullit rus.
Fjalët e Grosmanit janë një shembull i qartë se në Rusi gëzon një shtrirje të gjerë - ashtu si edhe në rrethin e intelektualëve dhe shkrimtarëve - sindroma e fatalizmit. Për sa kohë që pjesa më e madhe e reformatorëve rusë nuk do t'i presin, por në të kundërt do t'i saldojnë hallkat mes progresit dhe skllavërisë, pak shpresë për liri mbetet për Rusinë. "Demoni", kjo vepër gjeniale e Dostojevskit, na e ka bërë me dije me kohë qëndrimin e ashpër e cinik të qeveritarëve modernë (jo vetëm rusë): populli që nuk e kërkon, nuk e meriton lirinë. Në librin e tij të fundit "Gjithçka ndryshon", Grosmani shtron pyetjen se a do të vijë dita kur në Rusi të dëshirohet liria dhe demokracia, ashtu siç e dëshironte Evropa qysh në zanafillë? Kur do të jetë Rusia e lirë dhe humane? Dhe ai i jep vetë përgjigjen kësaj pyetjeje: "Këtë herë nuk ka shans për një gjë të tillë". Gjithsesi, ekziston një motivim që të lë të shpresosh: Në Rusi, sot ia vlen të rrezikosh jetën për t'i dalë kundra fatalizmit.
P.S. *) idiosincrasia - specifika të organizmit të njeriut, që për njerëz të ndryshëm, të njëjtat gjëra prodhojnë efekte të ndryshme. Alergji ndaj ushqimeve apo ilaçeve mjekësore (Fjalori enciklopedik - gjuhësor - MELZI). Në tekst "idiosincrasia propia" - merr kuptimin si një alergji apo intolerancë ndaj vetvetes (shën. im)
Përgatiti në shqip: Zamir Gjurgji