Rama çel fondet e buxhetit të pamiratuar
Letra krerëve të njësive bashkiake: Në bazë të vendimit të Këshillit Bashkiak të datës 3 shkurt, në të cilin është miratuar buxheti, njësive vendore u detajohen fondet dhe projektet për 2009-n
Të 11 krerëve të njësive bashkiake u është dërguar një letër zyrtare e nënshkruar nga kryetari i baskisë, z. Edi Rama, përmes së cilës udhëzohen të fillojnë punën për realizimin e projekteve për vitin 2009.
Letra vijon më tej, duke sqaruar kryetarët se në bazë të vendimit të Këshillit Bashkiak për miratimin e buxhetit më datë 3 shkurt, ata duhet të nisin punën për realizimin e planit vjetor. Por për krerët e njësive bashkiake letra e Ramës është e jashtëligjshme, pasi buxheti ende është i pamiratuar.
Njësitë vendore
Letra e Ramës ka habitur krerët e njësive bashkiake. Kryetari i njësisë bashkiake nr. 11, z. Haki Mustafa, pohon se edhe në njësinë që ai drejton, ka mbërritur kjo letër e nënshkruar nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në të cilën thuhet: “Në bazë të vendimit të Këshillit Bashkiak të datës 3 shkurt buxheti është miratuar”. Letra vijon duke detajuar fondet përkatëse për njësinë dhe projektet që duhen miratuar brenda vitit 2009.
Mustafa e quan të jashtëligjshme letrën e kryetarit Rama, pasi buxheti nuk mund të hyjë në funksion dhe nuk është e mundur të fillojë lëvrimi i buxhetit në thesar pa u rishikuar vendimi i dërguar nga prefekti.
Këshilli Bashkiak
I pyetur nga gazeta “standard” për dërgimin e kësaj letre, kreu i Këshillit Bashkiak, z. Sokol Dervishaj, ka deklaruar se nuk është në dijeni të kësaj letre. Sipas tij, një letër e tillë do të ishte e pavend, pasi buxheti ende nuk është miratuar.
Ndërsa pohoi se po punohet për të organizuar mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, ku një ndër pikat kryesore do të jetë miratimi i projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2009.
“Mbledhja e Këshillit Bashkiak do të mbahet diku nga java e ardhshme, por për momentin nuk mundem të caktoj një datë fikse, pasi jam ende në pritje të disa materialeve”, – ka deklaruar për “standard” kreu i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj.
Buxheti është rikthyer për votim në Këshill Bashkiak nga prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, pasi konstatoi shkelje të disa neneve.
Prefekti i Tiranës nuk firmosi draftin, pasi sipas tij, disa nene të buxhetit bien ndesh me ligjin për menaxhimin dhe funksionimin e pushtetit vendor. Gjithashtu, ai qe shprehur se janë shkelur dhe procedurat gjatë votimit. Aktualisht, fati i buxhetit të kryeqytetit pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak.