E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet në Itali i dënuari me 15 vjet burg

Policia italiane prangos të kërkuarin për vrasje i cili është në listën policisë shqiptare



Arrestohet në Itali ish- mësuesi shqiptar i dënuar me 15 vjet burg për vrasje. Frrok Koçeku, 35 vjeç, nga Dibra u arrestua dje në Itali, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pas dënimit të dhënë nga Gjykata e Dibrës.


Ky i fundit është dënuar në qershor të vitit 1998, me 15 vjet burg për veprën penale të vrasjes me paramendim, duke u shpallur fajtor për një vrasje të ndodhur në fshatin Lurë.


Lajmi për arrestimin e 35 vjeçarit nga Dibra u konfirmua dje nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat bënë të ditur se Koçeku është arrestuar dje në kryeqytetin italian, në Romë, pas një bashkëpunimi midis Interpol Romës dhe Interpol Tiranës. Frrok Koçeku është nga fshati Fushë Lurë i Dibrës dhe ka punuar si mësues.


Koçeku është shpallur fajtor për vrasjen e një bashkëfshatari të tij në vitin 1996. I arrestuari në shtetin fqinjë, në Itali, ka vrarë Besim Bucin, ngjarje kjo e ndodhur më 10 tetor të katërmbëdhjetë viteve më parë. Pas ngjarjes, Koçeku ka mundur që të largohet jashtë Shqipërisë dhe fillimisht është strehuar në Britaninë e Madhe, duke përdorur edhe identik të rreme.


Dy vite më parë ka dështuar një tentativë e autoriteteve të drejtësisë shqiptare për të ekstraduar Koçekun. Më pas, ky i fundit ka jetuar në Itali, ku edhe u arrestua dje me qëllim për t'u ekstraduar në Shqipëri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›