Masimo Morati driblon polemikat: Do të jetë një derbi i jashtëzakonshëm
Inter
Presidenti zikaltër flet edhe për problemin e kalendarit: Do të gjejmë një zgjidhje inteligjente
Masimo Morati “driblon” polemikën e shpërthyer së fundmi ndërmjet Interit dhe Milanit, për spostimet e datave të ndeshjeve në Kupën e Italisë. Presidenti i klubit zikaltër është i përqendruar vetëm te derbi i së dielës, një sfidë që pritet të jetë mjaft e ndezur. Kjo, edhe për faktin se me fitoren e fundjavës përballë Sienës, kuqezinjtë e kanë ngushtuar në -6 pikë diferencën nga kampionët në fuqi të Italisë. Skuadra e Leonardos ka edhe një ndeshje më pak (takimi në fushën e Fiorentinës, i shtyrë për shkak të motit të keq) dhe ka shansin që të kthehet në garën për kreun e klasifikimit. “Polemikat rreth kalendarit? Tashmë mendoj vetëm për ndeshjen e së dielës”, deklaroi Morati. Derbi i vetëm që i intereson numrit 1 të klubit është ai që do të luhet në “San Siro”: “Për sa i takon polemikës, do të shohim. Do të ulemi të diskutojmë me Ligën dhe me Adriano Galianin, kam besim se do të gjejmë një zgjidhje inteligjente”, shtoi ai. Gjendja shumë e mirë që po kalon Milani e shqetëson disi presidentin: “Po, është e vërtetë që Milani po luan shumë mirë. Lojtarët e kësaj skuadre po kalojnë një formë të shkëlqyer dhe besoj se do të shohim një ndeshje shumë të bukur”.Duke folur për skuadrën e drejtuar nga Zhoze Murinjo dhe për barazimin e vuajtur të arritur në “San Nikola”, Morati tha se ishte i bindur që Interi nuk do të arrinte të fitonte me Barin: “Kemi pasur mjaft vështirësi në takimet e fundit? Duhet të them se kampionati nuk është i lehtë. Jo se ka ndonjë vështirësi të madhe, por ndeshja me Barin nuk mund të cilësohet si një shëtitje, nënvijëzoi ai. Isha i gatshëm të hidhja bast se do të barazonim, por mënyra sesi e morëm atë pikë na jep më shumë moral”. Fakti më pozitiv, sipas patronit zikaltër, ishte se skuadra shënoi dy gola në harkun e pesë minutave, duke përmbysur atë që dukej një humbje e sigurt: “Ndoshta do të ishte më mirë sikur të mos kishim pësuar gol më parë. Megjithatë, karakteri i fortë është një prej cilësive të skuadrës”.
#