Moxhi: Kthehem pas një viti, te Juventusi vetëm me Anjelin
Ish-drejtuesi bardhezi: Interi dominon një kampionat mediokër
“Në verën e vitit 2011 do të më përfundojë skualifikimi dhe do të kthehem të punoj pranë futbollit”. Në këtë mënyrë Luxhiano Moxhi ka lajmëruar rikthimin në emisionin “Studio Stadio” të kanalit “Gold Sport”. Ish-drejtuesi i përgjithshëm i Juventusit ishte skualifikuar për 5 vjet në Itali, pas skandalit “calciopoli”. “Fakti që unë do të punoj sërish në futboll ka bërë që shumë persona të jenë të pakënaqur, ndërsa disa të tjerë të trembur, shtoi Moxhi. A mendoj të kthehem te Juve? Nuk do të veproj kurrë ashtu si Betega. Nuk dua të kem të bëj me drejtuesit aktualë të klubit, që na poshtëruan dhe kërkuan me çdo kusht që ne të dënoheshim. Do të kthehesha me vrap në klub, vetëm nëse në krye do të emërohej Andrea Anjeli. Në këtë mënyrë do të kisha mundësi të shlyhem me tifozët bardhezinj, të cilët nuk e kanë fshehur vlerësimin që kanë për mua gjatë gjithë këtyre viteve”. Duke folur edhe më tej për Juventusin, “Big Luçiano” vazhdon të kritikojë krerët aktualë, duke filluar nga presidenti Zhan Klod Blank. Ai ka folur edhe për trajnerin Ferrara, largimin e të cilit e sheh si të paevitueshëm. “Ka ardhur koha që ta shkarkojnë Ferrarën nga detyra e trajnerit, pasi është e qartë që futbollistët nuk e ndjekin. Për më tepër, një humbje të shtunën në sfidën me Romën do të bënte që kriza të ishte e pakthyeshme”, shpjegoi Moxhi. “Problemi kryesor janë dëmtimet e shumta? është e vërtetë, por humbja me Kievon ishte e turpshme. Vetëm Diego dhe Felipe Melo kushtonin sa e gjithë skuadra e Kievos. Ferrara do të bëhet ‘kokë turku’, ai do të paguajë ‘faturën’ për të gjithë, sepse Seko nuk ka asnjë peshë dhe nuk është ai që i merr vendimet. Megjithatë, shkaktari i vërtetë i këtij dështimi është Blank, i cili përfaqëson më së miri shembullin e paaftësisë për të menaxhuar një klub. A e kuptoni se për të afruar Paoluçin ai i ka telefonuar presidentit të Sienës, Franco Grande Stivens? Bëhej fjalë për Paoluçin dhe jo për Ibrahimoviç… Blank është i pari që nuk duhet lejuar të punojë më në skuadër! Në harkun e tri viteve ka shpërdoruar 250 milionë euro, ndërsa ne, gjatë 12 viteve që punuam te Juventusi nuk u kërkuam asnjë qindarkë pronarëve…”.
Më tej, Luçiano Moxhi ka folur edhe për dy skuadrat milaneze, Interin dhe Milanin. Fjalët për kuqezinjtë kanë qenë pozitive, ndërsa ndaj zikaltërve nuk munguan “shigjetimet”. “Me shkatërrimin e Juventusit në vitin 2006, tashmë i gjithë pushteti ndodhet në Milano. Skuadrat milaneze do të vazhdojnë dominimin edhe për shumë vite në Itali. Mbi të gjitha Interi, klubi që përfitoi më shumë se të gjithë nga ‘calciopoli’. Gjatë këtij sezoni, pa Zlatan Ibrahimoviç zikaltrit e kanë shumë të vështirë të shënojnë. Megjithatë, ata mbeten skuadra më e fortë e një kampionati mediokër, deklaroi ai. Ndërsa Milani, momentalisht po praktikon futbollin më të bukur, Ronaldinjo po i mahnit të gjithë. Ylli brazilian ka ende për të dhënë: ashtu si Maradona i viteve të fundit, nëse skuadra vrapon edhe për Dinjon, ai mund të vazhdojë të bëjë diferencën në fushë”.
#