Masivi shkëmbor bllokon Qafë Mali-Fierzë
TROPOJE-Rrëshkitja e dherave po shkakton prej disa ditësh bllokimin e aksit rrugor Qafë Mali-Fierzë. Burime për TNews24 bëjnë të ditur se sot paradite një masiv shkëmbor I është bashkuar dherave që kanë rrëshkitur gjatë natës duke bllokuar kështu trasenë e rrugës në vendin e quajtur “Shkëmbi i Dardhës”. Të njëjtat burime konfirmojnë se masivi shkëmbor është i masës rreth 100 m kub dhe shumëiI vështirë për tu larguar. Burime policore, personel i drejtorisë rajonale të mirëmbajtjes së rrugëve ndodhen në vendgjarje dhe po inspektojnë situatën. Vështirësitë shtohen pasi në këtë zonë po vazhdojnë edhe reshjet e dendura të borës. Autoritete lokale bëjnë të ditur se akset rrugore në këtë zonë aktualisht janë të kalueshme. Shembjet në aksin Qafë Mali-Fierzë vazhdojnë prej ditësh. Të shtunën rreth orës 22: 00 masivi i dheut zuri trasenë e rrugës Qafë Mali-Fierzës. Dje paradite rreth 20 automjete mbetën të bllokuara si pasojë bllokimit të rrugës. Kryetari i Bashkisë së Bajram Currit, Nuredin Ahmetaj bëri të ditur dje për TVNews24 se shkak për rrëshkitjen e dherave janë bërë reshjet e ditëve të fundit dhe shkarkimet nga Hidrocentrali i Fierzës që po vazhdon prej ditësh. Prurjet e mëdha të ujit kanë rritur shumë sasinë e lagështisë në këtë zonë, duke bërë që të kete shembje të shpeshta të dherave nga mali përgjatë rrugës i cili ndodhet në një pjerrësi prej 70 gradësh dhe nuk ka as mur mbrojtës, për të shmangur që këto masive dheu të bien në rrugë. (d.b/BalkanWeb)