Ohri ne piken maksimale, Shkupi: Jemi ne veshtiresi
TIRANE- Rrezikut të përmbytjeve në Shqipëri i shtohet edhe frika e rritjes së nivelit të mëtejshëm të ujërave në kaskadën e hidrocentralit të Fierzës, nëse Maqedonia vendos shkarkimin e ujrave të liqenit të Ohrit. Ende nuk ka një vendim nga qeveria e Gruevskit të hapë portat në Strugë për të evituar rritjen e nivelit në Liqenin e Ohrit, por nëse kjo ndodh, niveli i ujërave të kaskadës së Drinit në anën shqiptare do të shtohet tej mase, pasi Drini i Zi që buron në liqenin e Ohrit bashkohet me të gjithë ujërat që përfundojnë në kaskadën e hidrocentralit të Fierzës.Ministri i Ekonomisë në qeverinë maqedonase, Fatmir Besimi në një intervistë për Gazeta Shqiptare deklaron se autoritetet maqedonase po monitorojnë nivelin e ujërave në Liqenin e Ohrit“është vendosur që të monitorohet situata nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Ekologjisë dhe Ujërave si dhe Korporata Elektroenergjitike në vend për të mos lejuar që niveli i ujërave në Liqenin e Ohrit të rritet tej mase. Në këto momente, niveli i liqenit të Ohrit, ka arritur në rreth 693.75 m lartësi mbi nivelin e deti, që nënkupton pikën maksimale të fryrjes. Kjo është norma e përcaktuar nga marrëveshja dypalëshe mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Por, situata është nën kontroll” – deklaroi zoti Besimi.Sipas ministrit të Ekonomisë në Maqedoni niveli i ujit në liqenin e Ohrit është afër maksimales dhe se autoritetet po përpiqen ta mbajnë atë nën kontroll. Pyetjes nëse niveli do të kalojë maksimalin, të përcaktuar edhe në marrëveshje, a do të hapen portat në Strugë, duke rrezikuar kështu zonat shqiptare?, zoti Fatmir Besimi i përgjigjet “Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë. Nuk është marrë ende një vendim lidhur me këtë. Por, dua të theksoj se po merren të gjitha masat që situata të menaxhohet më së miri. Ngjarje të tilla nuk janë në dorën tonë, ato vijnë si pasojë e ngjarjeve natyrore që nuk mund të kontrollohen. Ne do të përpiqemi të mbajmë nën kontroll situatën.”Autoritetet maqedonase dhe shqiptare janë në komunikim të vazhdueshëm, të përditshëm me autoritetet shqiptare, në përpjekje për ta kontrolluar situatën dhe për të bërë gjithçka është e mundur në dobi të popullatës në të dy vendet.(s.g/balkanWeb)