Permbytjet, vazhdon sot shperndarja e ndihmave
SHKODER- Forcat e ushtrisë si dhe strukturat e tjera të angazhuara për përballimin e emergjencës në zonat e përmbytura në Qarkun e Shkodrës, në bazë të detyrave të përcaktuara në mbledhjen e mbrëmshme të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, të vendosur prej disa ditësh në qytetin e Shkodrës, vazhdojnë shpërndarjen e ndihmave ushqimore për banorët e këtyre zonave si dhe të bazës ushqimore për blegtorinë. Sipas njoftimit të orës 09.00 të Komitetit Ndërministror rë Emergjencave Civile gjatë ditës së sotme në komunën e Velipojës do të shpërndahen 5 tonë ujë, duke perdorur helikopteret italiane CH-37, do të transportohet transformatori i fshatit ças të kësaj komune. Ndërkohë, në komunën Berdicë do të dërgohen 1.5 tonë ushqim, 1.5 tonë ujë, ndërsa në komunën e Bushatit do të dërgohen 3 tonë koncentrat për bagetinë dhe 1 gjenerator për 50 familje. Forcat e ushtrisë do të transportojnë po sot në komunën e Dajçit të Bregut të Bunës 10 tonë ujë, 700 pako ushqimore, 5 tonë koncentrat për bagetinë, 100 pelerina, 50 çadra, 100 palë çizme. Ndihmat do të shpërndahen duke perdorur 4 motobarka të ushtrisëhelikopteret italiane CH-37, të dërguar disa ditësh nga qeveria italiane në kuadër të ndihmës dhe mbështetjes për kapërcimin e gjendjes emergjente të shkaktuar në këtë zonë si pasojë e përmbytjeve. Ndërkohë, në bashkinë Shkodër do të shpërndahen gjatë ditës së sotme 80 pako ushqimore për familjet e përmbytura, ndërsa në Komunën Rrethina do të dërgohen 40 pako ushqimore dhe 2 ton koncentrate për blegtorinë, në komunën e Anës së Malit 200 pako ushqimore, 4 ton ujë, 3 ton koncentrat për blegtorinë.(s.g/BalkanWeb)