Maskat grabisin një familje në Sofratikë të Gjirokastrës
Gjirokastër – Një familje minoritare në fshatin Sofratikë të Rrethit të Gjirokastrës është përballur me një terror kur maskat sulmuan banesën e tyre duke i grabitur dhunshëm. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës duke gdhirë dita e martë, kur dy persona të maskuar kanë hyrë në banesën e 69-vjeçarit Spiro Nasto, lindur dhe banues në fshatin Sofratikë të Rrethit Gjirokastër. “Grabitësit kanë hyrë nëpërmjet derës, e cila ishte e hapur dhe janë ngjitur në katin e dytë”, - thanë burime të policisë. Pasi kanë kontrolluar për të holla dhe s’kanë gjetur gjë, personat e maskuar janë konstatuar nga pronarët e banesës dhe janë përleshur me Spiro Naston dhe bashkëshorten e tij, që i kanë kërcënuar me një thikë që mbanin në dorë për t’u treguar vendin ku mbanin lekët. Ndodhur në këto kushte, pronarët e banesës u kanë treguar vendin ku mbanin lekët, ku kishin 3000 lekë të reja dhe 50 euro. Sa kanë marrë shumën e lekëve, agresorët janë larguar menjëherë. Spiro Nasto ka lajmëruar Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, ku menjëherë, përveç grupit hetimor, në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, nën drejtimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të policisë. Po ashtu është përdorur edhe qeni i gjurmës për të bërë të mundur përcaktimin e drejtimit të lëvizjes me qëllim ndjekjen dhe kapjen e autorëve.
18 Mars 2009