Nishani, kreut të KFOR-it: “Të ruhen kufijtë e vendeve të Ballkanit”
Tiranë - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, priti dje në një takim komandantin e KFOR-it, gjeneralleitnant Giuseppe E. Gay. Ata vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm e Policisë së Shtetit me Shërbimin Policor të Kosovës dhe KFOR-in. Gjenerali Gay paraqiti në takim punën e kryer nga KFOR-i në drejtim të forcimit të rendit e sigurisë publike në Kosovë, mbështetjen ndaj komunitetit dhe ndihmën për ngritjen dhe konsolidimin e kapaciteteve vendore. Komandanti i KFOR-it u shpreh në takim se shkalla e tensionit në Kosovë ka njohur një ulje të ndjeshme nga viti në vit, duke përjashtuar disa incidente të vogla ndëretnike, kryesisht në veri të vendit. Ai informoi gjithashtu mbi transformimin dhe ristrukturimin e forcave të sigurisë së Kosovës dhe arritjen e objektivit për përfshirjen në masën 10% të përfaqësuesve të minoritetit në këto forca. Gjenerali Gay theksoi edhe rëndësinë që po i kushtohet promovimit të imazhit të KFOR-it në opinionin publik të Kosovës. Ndërsa ministri i Brendshëm Nishani shprehu vlerësimet më të mira për rolin e KFOR-it në forcimin e rendit, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë duke e cilësuar këtë edhe një kontribut për krijimin e mundësive më të mëdha për zhvillimin e saj. “Jam i bindur se populli i Kosovës do t’ju jetë mirënjohës për këtë kontribut. Për më tepër, prania e KFOR-it është një sinjal i fortë pozitiv jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e rajonit”, - tha ministri Nishani. Ministri i Brendshëm siguroi komandantin e KFOR-it se Shqipëria, ashtu si deri tani, do të vijojë të japë kontributin dhe përvojën e saj për konsolidimin e institucioneve të Kosovës dhe nga ana tjetër është e gatshme për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë dhe detyrimet e saj në kuadër të bashkëpunimit dypalësh. Ministri Nishani informoi gjeneralin Gay edhe mbi ecurinë dhe marrëveshjet për bashkëpunimin ndërkufitar me vendet fqinje si Malin e Zi, Maqedoninë dhe Greqinë e po ashtu shprehu rëndësinë e konsolidimit të këtij bashkëpunimi edhe me Kosovën.
Drekonte me shokët, i vidhet makina oficerit të policisë
Lushnjë - Pasditen e së hënës, në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit”, në aksin rrugor të autostradës Fier–Lushnjë, është vjedhur një automjet tip Benz. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë Qarkut Fier pohuan për gazetën “Albania” se shtetasit Murat Meta, me detyrë oficer policie në Komisariatin e Lushnjës, në zyrën e pasaportave, i është vjedhur automjeti. Po këto burime pohuan faktin se Meta, pasi e ka pasur pushim, ka qenë nën shoqërinë e dy miqve të tij duke drekuar në një lokal që ndodhet pranë kësaj autostrade. Kur ka mbaruar së drekuari, ai nuk e ka gjetur makinën aty ku e kishte parkuar. Më pas ka njoftuar policinë, e cila ka marrë të gjitha të dhënat dhe është vënë në kërkim të gjetjes së makinës dhe të autorit të vjedhjes së saj.
18 Mars 2009