Maskohen PD-istat, Jozefina preferon të dalë zbuluar
Një ballo me maska e stilit venecian. Kjo ka qenë ideja e festës së organizuar të premten e kaluar në një nga lokalet e kryeqytetit. E konceptuar si një mbrëmje veneciane, gjithçka nisi në orën 21 dhe festa u organizua nën kujdesin e veçantë të kryetares së Parlamentit zonjës Jozefina Topalli. Personalitete të politikës, artit, kulturës, gazetarisë dhe botës së biznesit ishin të ftuarit e kësaj feste dhe të gjithë kishin me vete maskat. Në mbrëmje ishin rreth 260 të ftuar ndërkohë që atmosferës ia shtonte lezetin spektakli i përgatitur me këtë rast. Mbrëmja veneciane pati një program të ngjeshur, ku performuan xhonglerë, arlekinë dhe akrobatë në hyrjen kryesore nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe në ambientet e brendshme. Kjo trupë artistike performoi non-stop, duke alternuar situatat artistike që u zhvilluan. Përgjatë natës po ashtu u zhvilluan dhe performanca të disa prej balerinëve më në zë, këngëtarë lirikë interpretuan disa pjesë klasike, dy artistë konceptualë shpalosën veprat e tyre më të mira si dhe xhonglerë, arlekine dhe akrobatë performuan gjatë gjithë mbrëmjes. Një trio harqesh luajti në hyrje të ambientit, si dhe një kuartet performoi njëkohësisht në ambientet e brendshme muzikë baroke dhe rondo veneciane. Ko festë ka ardhur në Shqipëri nga shteti fqinj Italia dhe më konkretisht nga Venecia rreth 203 vjet më parë, pikërisht në qytetin e Shkodrës duke u bërë si një promotor për shkëmbimin kulturor mes dy vendeve. Ka vijuar të festohet edhe pas viteve ‘90 në të njëjtin qytet por organizatorët kanë menduar ta eksportojnë atë në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë duke e kthyer tani e mbrapa në një traditë.
Monika mes demokratëve preferon të maskohet
Ajo ka maskuar veten dhe të bijën, të cilën e merr me vete në çdo aktivitet.
Nuk ka ngurruar të vendosë maskën si një rregull i festave të këtij lloji, ndërkohë që veshja e saj ka qenë mjaft elegante. Ka ndenjur me deputetet e PD-së në një tavolinë por më pas ka lëvizur për të takuar të njohurit e saj, pjesëmarrës në këtë mbrëmje. Monika është gjithnjë e pranishme në evente të tilla, në përgjithësi merr me vete fëmijët e saj, meqë i shoqi si Ministër i Jashtëm ka një axhendë të ngjeshur.
Jozefina maskon fëmijët por jo veten
Nëse si rregull i pashkruar i kësaj feste veneciane është vendosja e maskave, kryetarja e Parlamentit nuk e ka respektuar atë. Ajo është kujdesur për maskat e djalit dhe të vajzës së saj, madje ia ka vendosur vetë ato, por për vete ka preferuar të rrijë zbuluar. Duket se të njëjtën zgjidhje kanë preferuar edhe deputetet Arenca Trashani dhe Rajmonda Bulku të cilat kanë ndenjur gjatë darkës në të njëjtën tavolinë me zonjën Topalli por në një moment të caktuar i kanë vendosur maskat. Ajo që të binte në sy atë darkë ishte fustani i zi i zonjës së parë të Parlamentit, shumë fashion dhe elegant. Gjithashtu edhe e bija kishte një veshje po aq elegante. Duket qartë se femrat e familjes Topalli janë shumë e apasionuara pas veshjeve. Në çdo eveniment zyrtar ose jo zonja Topalli duket që kujdeset në çdo detaj për veshjen dhe aksesorët. Vështirë ta shohësh të veshur dy herë njëlloj por gjithmonë shumë bukur.
Gerti Bogdani zbavitet me miqtë dhe të fejuarën
Ndër politikanët pjesëmarrës në festën e karnevaleve veneciane binte në sy edhe prezenca e deputetit të ri dalë nga radhët e PD-së, Gerti Bogdani. Ai ka përfituar nga kjo darkë për të biseduar me miqtë dhe për të kaluar një mbrëmje të veçnatë me të fejuarën e tij, Edlirën. Me siguri Gerti është ndjerë mirë dhe e ka shijuar mbrëmjen pasi e dimë se ai është i apasionuar mbas festave dhe jetës së natës. Në atë ambient ku nga politika ishin të ftuar vetëm demokratë, ai është ndjerë si në selinë e tij blu.
Olta Gixhari mbulon fytyrën por zbulon gjoksin
Nuk është kursyer në dekoltenë e saj të ekzagjerur Olta Gixhari, aktorja e njohur. Ka vendosur që në mbrëmjen veneciane të paraqitet e veshur me fustan të zi dhe bizhu klasike dhe mbasi ka përshëndetur gjithë të njohurit e saj në mbrëmje, ka vendosur maskën në fytyrë. Kështu më pas të gjithë e kanë pasur të lehtë ta njohin falë gjoksit të saj të pa maskuar me rroba.