E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS në Kuvend më 25 shkurt



Aristir Lumezi

Deputetët socialistë do të bëjnë betimin të enjten në seancën e 25 shkurtit. Burime pranë selisë rozë pohojnë se janë lajmëruar deputetët që ndodhen jashtë shtetit të kthehen në Shqipëri dhe të jenë prezentë që nga e hëna. Vangjel Tavo, Olta Xhaçka dhe Tom Doshi, të cilët kanë qenë jashtë shtetit për interesa familjare janë lajmëruar të jenë në Tiranë që nga fillimi i javës. Partia Socialiste ka vendosur kështu t’i japë fund debatit për djegien ose jo të mandateve të deputetëve socialistë, ndërsa afati i fundit ligjor i tyre është 6 marsi, gjashtë muaj pas nisjes së punës Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Ende nuk dihet nëse deputetë socialistë do të bëjnë betimin dhe do të dalin nga salla për të vazhduar bojkotin, por kjo do të varet shumë nga rezultati i takimit që delegacioni i Këshillit të Evropës do të ketë me Edi Ramën ditën e hënë. Përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste, në deklaratat e tyre të kohëve të fundit, lidhur me bojkotin e Parlamentit, janë shprehur se çështja e mandatit të deputetit është e ndarë nga ajo e bojkotit të Parlamentit, duke lënë të kuptohet se deputetët nuk do djegin mandatet e tyre por do të vazhdojnë bojkotin deri në plotësimin e kërkesës së tyre për hetimin e zgjedhjeve. Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i kërkon maxhorancës lejimin e ngritjes së komisionit hetimor parlamentar dhe kthimin e opozitës në Parlament. E njëjta kërkesë ndaj opozitës erdhi pak ditë më parë dhe nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Vienë, Zhoao Soares.
Deputeti Andis Harasani duke komentuar hyrjen e deputetëve socialistë në kuvend tha dje se shpreh keqardhje, që kryetari i PS, Edi Rama pas 7 muajsh që në një farë mënyre luftoi për të gjetur armiq të brendshëm në parti, po shfaq qëndrime të njëjta me këta armiq të hamendësuar. Harasani deklaron se do të luftojnë për të qëndruar në Parlament, për të bërë një opozitë reale dhe për të mundësuar fitoren në zgjedhjet lokale.
Drafti
Mësohet se socialistët do të depozitojnë draftin e përgatitur kohë më parë për transparencën e zgjedhjeve, e cila përfshin hetimin e të gjithë materialit zgjedhor të 28 qershorit, përfshirë dhe kutitë e votimit. Mësohet se mund të jetë kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, i cili ka qenë në krah të Edi Ramës në negociatat e Presidentit Topi, i cili do të depozitojë projektligjin, duke arsyetuar dhe qëndrimin e mëtejshëm të deputetëve socialistë. Drafti i përgatitur nga grupi i ekspertëve juridikë në PS, do t’i lihet maxhorancës ta miratojë me shumicën e votave të tyre, për ta kthyer në një ligj të zbatueshëm nga Parlamenti dhe komisioni hetimor parlamentar. Ky draft u përgatit që në muajin tetor, kur nisi dhe protesta e parë në Tiranë për transparencën e zgjedhjeve. Në Tiranë nisi mbledhja e firmave të mbështetësve që kërkonin hapjen e kutive, një iniciativë që vazhdoi në të gjitha qytetet ku u zhvilluan protestat, ndërsa numri i firmave e tejkaloi numrin e nevojshëm për të propozuar një projektligj. Tashmë deputetët socialistë do të jenë vetë në kuvend, pasi të kenë bërë betimin dhe kjo është e mjaftueshme që propozimi të vijë prej tyre. Drafti përmban shtatë nene. Nenin që flet për objektin e hetimit, kërkon hetim të çdo shkeljeje që lidhet me procesin zgjedhor në tërësi. Për një hetim të tillë kërkohet të hapen si kutitë e votimit, ashtu dhe kutitë e materialeve zgjedhore, për të ballafaquar dokumentacionin zgjedhor me numrin e votave prezente në kuti.

Deklarata e OSBE, PD-PS përplasen për përmbajtjen

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike komentojnë ndryshe thelbin e deklaratës së Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Soares. Arta Dade nga selia rozë tha se deklarata e Soares mbështet hetimin e plotë të zgjedhjeve.
“Zoti Soares kërkon shprehimisht që përmes një komisioni parlamentar, i cili do të jetojë në mënyrë të thellë dhe të detajuar gjithë procesin zgjedhor, kuptohet konform Kushtetutës, e cila nuk e pengon këtë lloj hetimi dhe padyshim që transparenca e zgjedhjeve nuk ka se si të jetë selektive”, theksoi Dade. Ajo akuzoi kryetaren e Kuvendit, që sipas saj vazhdon të abuzojë me deklaratën e ndërkombëtarëve, tha se socialistët në Parlamentin Evropian mbështesin socialistët në Tiranë. Por sipas deputetit të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, është kreu i PS ai që duhet ta lexojë siç duhet deklaratën e Soaresit. “I bëj thirrje zotit Rama të lexojë me korrektësi deklaratën e Presidentit Soares, lidhur me komisionet hetimore të cilin unë po e citoj: Unë mirëpres gatishmërinë e të dy palëve, për të marrë pjesë në komisionin parlamentar i cili do të kryejë një hetim të plotë të zgjedhjeve duke respektuar Kushtetutën dhe vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Bumçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›