Massimo Gaiani: Bujar Nishani President, një zgjedhje e shkëlqyer
Ambasadori italian: Shanse reale për marrjen e statusit në vjeshtë të këtij viti
Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, ka shprehur konsiderata të larta për presidentin e sapozgjedhur të Shqipërisë, ndërsa e ka quajtur një proces kushtetues vendimin që mori parlamenti shqiptar për zgjedhjen e tij.
“Procesi për zgjedhjen e presidentit lejoi mundësin e dialogut, ndërsa zgjedhja e tij u bë sipas Kushtetutës së Shqipërisë. Kandidati i zgjedhur ka një profil të lartë dhe përbën një zgjedhje të shkëlqyer”, deklaroi ambasadori italian.
Gjatë një takimi të zhvilluar dje në universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, z. Gaiani tha se shanset e Shqipërisë për të hyrë në BE, me gjithë ngjarjet e fundit politike, vazhdojnë të jenë të larta. “Muajt e ardhshëm deri në hartimin e raportit të Komisionit Evropian do të jenë mjaft të rëndësishëm si për politikën shqiptare ashtu edhe për vendimin evropian për zgjerimin. Raportet që përgatiten bashkë me pjesën e tyre teknike kanë edhe zgjidhjet politike”, tha më tej Gaiani. Unë jam optimist, vijoi ambasadori Italian, duke shtuar se bashkë me impenjimin politik, ekziston edhe vullneti i forcave politike shqiptare.
Zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës, është përshëndetur nga përfaqësuesit e partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtarë të vendit. Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, Ambasadori i Komisionit Europian, Ettore Sequi dhe kreu i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, kanë vlerësuar figurën dhe personalitetin e Presidentit Bujar Nishani.