Masterat, fituesit, më 27 tetor
Më 27 tetor do të dalin rezultatet e fituesve dhe humbësve në programet e Nivelit të Dytë dhe Masterat e Nivelit të Parë në institucionet publike të arsimit të lartë në vend. Ndonëse shkolla për këto cikle studimi ka nisur prej disa ditësh, përgjigjet për vitin e parë nuk kanë dalë ende, duke u zvarritur për në javën tjetër, ku sipas burimeve nga universitetet publike të Tiranës, do të dalin edhe rezultatet përfundimtare të renditjes së fituesve dhe humbësve. Këtë vit janë më shumë se 7000 kuota masteri të ndara sipas disa kategorive.
Në këtë mënyrë, sipas vendimit të qeverisë, 2640 kuota janë rezervuar për programet dyvjeçare të ciklit të dytë të studimeve, pra Diplomat e Nivelit të Dytë. Ndërkohë, më shumë kuota gjatë këtij viti do të kenë programet njëvjeçare të ciklit të dytë të studimeve. Kështu, sipas vendimit të qeverisë, për Master të Nivelit të Parë (MNP) do të pranohen në total 4145 të diplomuar.
Ndërkohë, këtë vit, qeveria ka përcaktuar kuota të veçanta edhe për katër kategori të tjera. Sipas vendimit, për programe të dyta studimi, pra për të gjithë ata që kanë përfunduar një program MNP ose DND, do të jenë të rezervuara 100 kuota. Po aq do të rezervohen për transferimin e studimeve, brenda të njëjtit program ose programeve të ngjashme nga një universitet në tjetrin.
Dy kategoritë e tjera kanë të bëjnë me personat me aftësi të kufizuara dhe të huajt. Kështu, të gjithë studentët që nuk kanë shtetësi shqiptare, do të mund të aplikojnë për programet e ciklit të dytë të studimeve, vetëm për 50 kuota. Ndërsa, një sasi e veçantë prej 20 kuotash u është rezervuar të gjithë bashkëqytetarëve tanë të cilët janë të verbër me vërtetim të komisionit përkatës.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, “krahasuar me një vit më parë, ka një rritje me afro 2500 kuota për këto programe studimi”. Ndërkaq, MASH saktëson se 10% e kuotës së çdo programi studimi të ciklit të dytë është parashikuar për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë vendit.
Aplikimet për në programet e ciklit të dytë, qofshin këto Diploma të Nivelit të Dytë apo Mastera të Nivelit të Parë, kanë përfunduar në universitetet e Tiranës dhe tashmë, brenda dy javëve në vijim, do të dalin fituesit e këtyre programeve.
Burime nga Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës bëjnë të ditur se kriteri i vetëm ka për të qenë nota mesatare e marrë gjatë tri viteve të para të studimeve, ndërkohë që nëse ka barazi ndërmjet këtyre notave, atëherë do të kryhen intervista të veçanta me secilin prej kandidatëve, nga një komision ad-hoc që do të ngrihet brenda departamenteve përkatëse.
Sërish protesta në Fakultetin e Ekonomisë, depozitohet padia
Studentët e Fakultetit të Ekonomisë kanë zhvilluar edhe dje protesta për ndalimin e ndërtimit të ndërtesës brenda në oborrin e këtij fakulteti. Ndërkohë, që pas thirrjeve publike të Universitetit të Tiranës për anulimin e lejes së ndërtimit dhënë nga Bashkia e Tiranës rektorati i këtij universiteti ka depozituar në gjykatë një ankesë.
“Meqë deri tani Bashkia e Tiranës nuk ka reaguar, e vetmja zgjidhje mbetet rruga ligjore”, - tha dje Omer Stringa, dekani i Fakultetit të Ekonomisë, studentët e të cilit e ngritën këtë shqetësim duke organizuar edhe protesta.
Për moslejimin e ndërtimit të godinës, rektorati i Universitetit të Tiranës i ka kërkuar kryebashkiakut Edi Rama të anulojë lejen e ndërtimit, pasi bie në kundërshtim me një prej vendimeve të vetë bashkisë, nëpërmjet të cilit jepet urdhër për prishjen e objekteve në oborrin e Fakultetit Ekonomik.
Çështja e ngritjes së kësaj godine daton që në vitin 2003, kur është anuluar leja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të asaj kohe.
"Bashkia e Tiranës ridha leje në vitin 2005 dhe përsëri ka një vendim të KRRTRSH-së së Republikës, që e ka shfuqizuar vendimin e KRRT-së së Bashkisë së Tiranës dhe ka urdhëruar fillimin e procedurave për shpronësimin për interes publik", - sqaroi Stringa.
Megjithatë, UT është i vendosur që t’u futet proceseve gjyqësore për zgjidhjen e këtij problemi, në rast se bashkia nuk do të nxjerrë urdhrin për pezullimin e këtyre punimeve.
Ndërkohë ai shtoi se "në bazë të ligjit të urbanistikës Qyteti Studenti dhe zonat universitare administrohen e komandohen vetëm me leje nga Këshilli i Rregullimit të Territor në shkallë vendi".
Tafaj: Reformë në arsimin profesional
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, bëri publike objektivat e institucionit të lartë arsimor në fushën e arsimit profesional. I pranishëm në prezantimin e fazës së dytë të projektit AlbVET në Tiranë, për lidhjen e arsimit profesional me tregun e punës, Tafaj paraqiti sfidat e MASH-it në këtë nivel arsimimi.
Ai, pasi falënderoi qeverinë zvicerane dhe Agjencinë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim për mbështetjen e vazhdueshme në vendin tonë, theksoi se arsimi profesional në Shqipëri ka hyrë në fazën e një reformimi të thellë.
Për ministrin Tafaj arritjet në AFP i përkasin reformës kurrikulare, përmirësimit të infrastrukturës dhe trajnimit të mësuesve. AFP-ja është një nga prioritetet kryesore të kësaj qeverie në fushën e arsimit, pasi konsiderohet si rruga më e sigurt për rritjen e shkallës së punësimit në Shqipëri.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës vuri në dukje objektivat kryesore të këtij institucioni, duke theksuar se nga reforma e sistemit të AFP-së pritet një sistem që garanton një shkollim profesional, që krijon shanse reale punësimi dhe vetëpunësimi, një sistem që mobilizon në mënyrë sistematike të gjithë aktorët, pushtetin vendor, bashkitë e komunat si dhe komunitetin në tërësi. Ky sistem duhet të gërshetojë gjithashtu formimin profesional të të rriturve dhe mësimin