Plani rregullues rikthehet në Këshillin Bashkiak
Në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak pritet që këshilltarët të njihen me dokumentacionin teknik të planit rregullues të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës ka vendosur në rendin e ditës në mbledhjen e 26 tetorit, që të diskutohet edhe dokumentacioni i planit rregullues. Ky vendim vjen pasi mbledhja e kaluar e Këshillit Bashkiak u shty me kërkesë të këshilltarëve të PD-së dhe LSI-së për shkak të mungesës së dokumentacionit njohës të planit si dhe të ekspertëve. Këshilltarët u njohën me planin për herë të parë në mbledhjen e kaluar ku Bashkia e Tiranës e prezantoi atë përmes një video-dokumentari në gjuhë të huaj.
Mbledhja
Ndër vendimet kryesore që do të shqyrtohen, është edhe dokumentacioni teknik i Planit Rregullues të Tiranës, pika e fundit që do të merret në shqyrtim nga këshilltarët. Burime pranë Bashkisë së Tiranës bëjnë të ditur se lënia për në fund e kësaj pike është bërë qëllimisht në mënyrë që të mos pengohet marrja e miratimit për vendimet e tjera. Burimet deklarojnë se ka qenë pikërisht plani rregullues pika që ka ndezur debate tejet të forta në këshillit ndaj dhe kësaj radhe ajo do të diskutohet vetëm pasi të jenë shqyrtuar të gjitha pikat e tjera. Asokohe Bashkia e Tiranës pati vendosur që të prezantonte Planin Rregullues të Tiranës përmes një video-projektori në dy ekrane të improvizuara në dy këndet e sallës, nga aty paraqiti në gjuhë të huaj një video-dokumentar me materiale mbi planin. Mjaftoi kaq që atmosfera të ndizej dhe të fillonin debatet. Anëtarët e PD-së dhe LSI-së e kanë quajtur të papranueshëm prezantimin e këtij plani historik përmes një videoje si dhe kanë kërkuar shtyrjen e mbledhjes.
Pikat
Ndër 11 projektvendimet që do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, është edhe vendimi për trajtimin e familjeve që përfitojnë nga projekti për subvencionimin e interesave të kredisë. Një tjetër vendim do të jetë ai për trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë. Të tjera vendime janë edhe ato për kalimin e rikonstruksionin e disa objekteve kështu do të shqyrtohet projektvendimi për heqjen nga kontabiliteti të pjesës së objektit “Korpusi kryesor” që do të demolohet në ndërmarrjen Ofiçina e Automjeteve Tiranë, me qëllim zbatimin e projektit “Rikonstruksioni i Bllokut 22” dhe miratimin në parim të dhënies me të këtij objekti me sipërfaqe 6734 m², njësi e ndërmarrjes Ofiçina e Automjeteve Tiranë.
Gjithashtu, pritet edhe miratimi i treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit të buxhetit afatmesëm për periudhën 2010-2012. Ndërkohë që do të kalohet për miratimin e programit buxhetor afatmesëm për vitet 2010-2012 si dhe për përdorimin e fondit rezervë për financimin e projektit “Energjia diellore – alternativë promjedisore dhe ekonomike”. Dhe si pikë e fundit është projektvendimi për paraqitjen e dokumentacionit teknik të Planit të Përgjithshëm Rregullues të Bashkisë së Tiranës.