Protesta; Familjarët e Remzi Hoxhës kërkojnë zbardhjen e rastit
Familjarët e Remzi Hoxhës kanë protestuar dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda, një ditë para se të mbushen plot 14 vite nga zhdukja e tij. Ndërkohë që brenda gjykatës zhvillohej si përherë gjyqi për të pandehurit e akuzuar për çështjen, 50 familjarë të ardhur nga Maqedonia zhvillonin një protestë paqësore me pankarta në duar, duke kërkuar që familjes t’i jepet një përgjigje për fajtorët e këtij akti, si dhe të gjendet ku janë eshtrat e njeriut të tyre, me qëllim që të mos pritet një 15-vjetor dhe rasti ende të mos jetë zbardhur. Familjarët kërkojnë një varr ku të qajnë njeriun e tyre dhe për këtë kërkojnë të dinë ku kanë përfunduar eshtrat e Remzi Hoxhës. Sipas të birit të biznesmenit të zhdukur, Ardian Hoxha, nëse drejtësia shqiptare nuk i jep një zgjidhje kësaj çështjeje, familjarët do i drejtohen Strasburgut. “I bëjmë apel drejtësisë të zbardhë zhdukjen e babait, ndryshe ne do t’i drejtohemi Strasburgut”, - shprehet Ardian Hoxha, duke shtuar se për ta ka rëndësi edhe nëse i dorëzohen eshtrat. “Jemi gënjyer për 14 vjet, por kemi ende shpresa tek drejtësia. Të paktën të marrim eshtrat”, - shprehet Hoxha. Familjarët me pankarta në duar, ku shkruhej “14 vjet në pritje të një varri”, u ankuan edhe për zvarritjen e procesit. Ndërkohë që protesta vazhdonte, gjykata zhvilloi një seancë vetëm 10 minuta, ku u verifikua se njëri nga dëshmitarët e thirrur për të dëshmuar dhe i cili do të pyetej në banesë, jashtë ndërtesës së gjykatës, kishte vdekur. Familjarë të tij kishin dorëzuar pranë gjykatës një certifikatë vdekjeje.