KE: Mbështesim Komisionin e Shërbimit Civil

Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë mbështet plotësisht institucionin e pavarur të Komisionit të Shërbimit Civil, i cili gjatë vitit 2009 ka pasur një mori problemesh, që Kuvendi nuk ka mundur t’u japë zgjidhje. Gazeta “Shqip” mëson detaje të takimit të zhvilluar dy ditë më parë, mes KSHC-së dhe Delegacionit të KE-së, me objekt njohjen nga afër të problemeve dhe situatës që po përjeton institucioni që trajton ankesat e nëpunësve të shërbimit civil. Në takim kanë marrë pjesë nënkryetari i KSHC-së, Kostandin Kazanxhi, i shoqëruar nga anëtari Saimir Mani, kurse nga pala e KE-së ishte këshilltari i ambasadorit Helmut Lohan, për çështje Politike dhe Ekonomike, Tomas Von Handel, në prani të tre zyrtarëve të tjerë të komisionit. Që në fillim të takimit, Handel ka shprehur keqardhjen për mungesën e Lohanit, i cili për shkaqe pune ishte në Bruksel, duke sqaruar se për nga rëndësia e çështjes, takimi nuk mund të shtyhej, edhe pse mungonte shefi i delegacionit.
Burime të sigurta pranë të dyja palëve konfirmojnë takimin, ku KE është njohur me detaje rreth asaj çfarë ka ndodhur në dy muajt e fundit në KSHC, përfshi dhe vendimin e Komisionit të Ligjeve për “shkarkimin në bllok” të katër anëtarëve. Kazanxhi mësohet të ketë thënë se, gjatë vitit 2009 ka pasur një bllokim të punës së komisionit, për shkaqe që lidhen me ish-drejtuesen, e cila nuk firmoste vendimet, duke krijuar zvarritje të dosjeve. Më tej, nënkryetari i KSHC-së ka sqaruar pjesën sa i takon shkarkimit të ish-kryetares, dhe marrjen në kontroll të institucionit, duke zhbllokuar situatën me shqyrtimin e dosjeve të prapambetura. Që nga qershori 2009, e deri më 5 mars, KSHC ka qenë tërësisht i bllokuar, me mbledhje të cunguara dhe debate të ashpra, ndërsa me ripozicionimin e drejtuesve, situata u kthye në normalitet, ku për një muaj janë marrë rreth 150 vendime ndaj ankesave të vitit 2009, si dhe të rejat e krijuara në 2010.
Këshilltari i Lohanit, pasi u njoh me problematikat, duke mbajtur shënime, tha se çështja e shkarkimit të kryetares është një e drejtë ligjore e institucionit, ndërsa sa i takon nevojës së funksionimit, është shumë i rëndësishëm vijimi i punës. “KE e gjykon si shumë të rëndësishëm funksionin e Komisionit të Shërbimit Civil, si institucion i pavarur që zbaton në bazë të normave dhe ligjeve”, mësohet të ketë thënë Handel, duke shtuar se Komisioni Europian është i vendosur të mbështesë institucionet e pavarura, si KSHC.
Në takim e sipër, palët kanë rënë dakord që të zhvillojnë një tjetër bisedë më të detajuar, kësaj here në ambientet e Komisionit të Shërbimit Civil, ku nuk do të mungojë as ambasadori Lohan. KE ka kontribuar gjithë këto vite për mirëfunksionimin sipas standardeve të KSHC, si dhe së bashku me OSBE-në e Bankën Botërore kanë mundësuar krijimin për herë të parë të institucionit në 1999-n.
Ndërkaq, KSHC do të vijojë takimet edhe me institucionet e tjera ndërkombëtare, në mënyrë që t’i bëjë të ditur se “situata ka ndryshuar” dhe për t’u njohur me të ardhmen, referuar rezolutës për shkrirjen e institucionit, bazuar mbi amendamentet e “Gjykatës Administrative”.
Sa i takon punës së përditshme, komisioni ka zhvilluar dje mbledhjen e radhës, ku janë marrë disa vendime, që lidheshin me planin buxhetor afatmesëm 2011-2013, marrëdhënia dhe procedura që duhen ndjekur me gjykatat, si dhe masa disiplinore ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të KSHC-së. Më herët, Kazanxhi i ka njohur anëtarët me takimet e zhvilluara, siç ishte rasti me delegacionin e KE-së.
Një nga vendimet e marra dje nga KSHC-ja ka të bëjë me nisjen e mbikëqyrjes në disa institucione sa i takon respektimit të ligjit “Mbi statusin e shërbimit civil”. Gjithashtu mësohet se do të nisin kontrollet tematike mbi raste të veçanta, pasi të jetë përgatitur projekt-kontrolli nga drejtoria brenda KSHC-së.
#