Masterat, nuk digjet privati
11/01/2010 Ndryshimet që do të prekin ligjin e arsimit të lartë për heqjen e masterave të nivelit të dytë
Kandidatët që mbarojnë këtë vit kanë të drejtë të aplikojnë për doktoraturat
Marrja e titujve të studimeve “master” në institucionet private nuk bëhet pengesë për nisjen e ciklit të doktoraturës në universitetet publike, të cilat tashmë janë të vetmet institucione të arsimit të lartë që ofrojnë këtë cikël studimesh pasuniversitare, të vetmet që i ofrojnë këto studime sot në vendin tonë. Aktualisht ligji i arsimit të lartë lejon që aplikimet për ciklin e doktoraturës të plotësohen nga të gjithë kandidatët (pavarësisht se ku i kanë kryer studimet “master” apo të llojeve të tjera. Megjithatë, ky ligj do të pasohet me një sërë ndryshimesh, të cilat pritet të zbatohen duke filluar nga viti i ardhshëm akademik. Konkretisht bëhet fjalë për ciklin e studimeve “master” të nivelit të dytë, të cilat do të ndërpriten e do të zëvendësohen me mastera profesionalë dhe shkencorë, sipas degëve. Një tjetër ndryshim që do të prekë universitetet do të jetë edhe procesi i akreditimit, i cili do të zbatohet për të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend.
Efektet
Zbatimi i këtyre ndryshimeve nuk do të ketë efekte negative për kandidatët që po vijojnë studimet “master” të nivelit të dytë, të njohura dhe të miratuara me vendime të posaçme të Këshillit të Ministrave. Konkretisht, të gjithë kandidatët që mbarojnë këtë vit studimet e nivelit të dytë “master” mund të aplikojnë për studime të mëtejshme universitare (doktoraturë), nëse plotësojnë kriteret e aplikimit për kuotat që do të miratohen për secilin program. Për këtë vit akademik janë miratuar një numër i konsiderueshëm masterash të nivelit të dytë pranë institucioneve private, si dhe janë hapur pas mungesës disavjeçare studimet “master” të nivelit të dytë në strukturat publike. Por duke filluar nga viti i ardhshëm këto mastera do të jenë të llojit profesional e shkencor, që do të zbatohen sipas kritereve specifike që do të miratohen pas ndryshimit të ligjit të arsimit.
Doktoraturat
Programet e studimit të doktoratës përfshihen në ciklin e tretë të studimeve universitare, në përfundim të të cilëve lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor”. Programet e studimit të doktoratës organizohen brenda një projekti të madh kërkimor, didaktik, kulturor, kërkimi të pavarur dhe realizohen në koordinim me zhvillimin e dokumentuar të veprimtarive të kërkimit të çdo fakulteti apo të universitetit në tërësi. Secili prej universiteteve në fillim të vitit akademik do të publikojë kriteret e aplikimit që duhet të plotësohen për këtë cikël studimesh, ku përveç dokumenteve mbi ecurinë e studimeve dhe vërtetimet e vendbanimit do të kërkohen edhe deklaratat e gatishmërisë së udhëheqësit shkencor për të udhëhequr kandidatin, deklaratë vetjake e studentit për përballimin e shpenzimeve të programit të studimeve të doktoratës, vendimi i departamentit për propozimin e tezës, vërtetim i dekanatit për pranimin e dokumentacionit për aplikim, plani i punës.
Kërkesa
Për të kërkuar regjistrimin në programet e studimit të doktoratës, studenti duhet të plotësojë këto kritere: të ketë përfunduar studimet e larta në fushën e kërkuar dhe të zotërojë një diplomë të nivelit të dytë, diplomë sipas sistemit të vjetër apo titull akademik të barasvlershëm të fituar jashtë vendit dhe të njohur nga organet kompetente. Kërkohet të ketë notë mesatare të përgjithshme në studimet e ciklit të parë dhe të dytë të studimeve 8 e lart.
Dokumentet
Përveç dy kritereve të cituara më sipër është e detyrueshme që kandidati të plotësojë edhe kritere të tjera të dokumentuara, si: të ketë dëshmi të njohjes së njërës prej gjuhëve të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht ose gjermanisht, lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në kryeqytet, të ketë dy rekomandime nga persona që gëzojnë titull shkencor dhe që njohin aftësitë akademike dhe profesionale të kandidatit, si dhe të zbatojë standardet shkencore dhe etike.
Dosja
Kërkesa e studentit kandidat për miratimin e programit të studimit të doktoratës, ku propozohet edhe tema e udhëheqësi, kalohet në dosjen personale, që duhet të ketë edhe CV-në, kopje të noterizuar të diplomës, të diplomave të SHPU, master i nivelit të dytë shoqëruar me listën e notave, certifikatë me fotografi, vërtetim i qendrës së banimit, 2 rekomandime, dëshmi dhe vërtetim provimesh pasuniversitare, si gjuhë e huaj, dhe deklarata të tjera.
Njohja e diplomave
Shkurtohen afatet e njohjes së studimeve
Procedurat e njohjes së diplomave apo titujve të tjerë të studimit të fituara jashtë vendit nuk do të zgjasin më me muaj të tërë. Me ndryshimet e bëra së fundi në udhëzimin e ekuivalentimit të diplomave dhe certifikatave të fituara jashtë vendit, konfirmohet se kjo procedurë mund të mbyllet rreth 45 ditë që nga koha i aplikimit. Sipas rregullores, aplikimi duhet të dërgohet me postë në Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun pranë Ministrisë së Arsimit. Në një afat kohor prej tri ditësh Sektori i Njohjes së Diplomave (SENJOD) duhet të informojë aplikantin për mbërritjen dhe plotësinë e dosjes. Për rastet kur dosja paraqet probleme për shkak të mungesës së dokumenteve që kërkohen nga komisioni i verifikimit, kërkesa kthehet për përmbushjen e kritereve të kërkuara. Ndërkohë aplikimi për njohjen e diplomave të ndryshme të të njëjtit individ, të lëshuara nga i njëjti institucion, konsiderohet si një dhe për të paguhet një tarifë. Tarifa për procedurat e njohjes është 2500 (dy mijë e pesëqind) lekë. Bazë e vlerësimit të programit dhe kursit të kryer janë lëndët/modulet e programit, numri total i krediteve të fituara, vitet e studimit, kualifikimet që përcaktohen nga kuadri ligjor i vendit të origjinës, krahasuar me kuadrin vendas rregullues. Në rastet e mosnjohjes së kursit të studimeve dhe kualifikimit të fituar brenda 5 (pesë) ditësh nga përfundimi të procedurës për njohje kryetari i komisionit njofton me shkrim aplikantin për mosnjohjen dhe arsyet përkatëse. Gjithashtu kandidati ka të drejtë të bëjë ankim me shkrim te ministri i Arsimit dhe Shkencës, ku duhet t’i kthehet përgjigje brenda 30 ditëve që nga data e paraqitjes së ankesës. Në përfundim të procedurës aplikantit i lëshohet një dëshmi njohjeje, ku përfshihen vitet e studimit, profili i diplomës së bashku me drejtime sekondare të kryera.