Ministri Meta merr mbështetje nga homologu italian
08/01/2010 Përmbytjet
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka zhvilluar dje një bisedë telefonike me homologun e tij italian, ministrin e Jashtëm Franko Fratini, mbi situatën e rënduar në zonat e përmbytura. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë MJP-së, gjatë bisedës telefonike u diskutua mbi situatën e rënduar në Veri të vendit, mbi problematikat e shkaktuara si pasojë e reshjeve të dendura të shiut si dhe asistencën e nevojshme në terren për familjet e prekura nga përmbytjet. Ministri Fratini shprehu solidaritetin e qeverisë italiane, duke theksuar se ajo gjendet pranë qeverisë dhe popullit shqiptar. Gjithashtu ai shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme për kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate. Nga ana e tij ministri Meta e informoi homologun italian për masat e marra për përballimin e situatës së krijuar. Gjithashtu shefi i diplomacisë shqiptare së bashku me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti dhe zëvendësministrin e Brendshëm Ferdinand Pone zhvilluan po dje një takim informativ dhe konsultativ me përfaqësues të trupit diplomatik, ku informuan ambasadorët e pranishëm mbi situatën në terren dhe mbi masat e marra nga qeveria. Në emër të qeverisë shqiptare Meta u kërkoi ambasadorëve kontributin e vendeve të tyre për menaxhimin sa më efikas të emergjencës.