Rikthimi i “Romancës…”
11/01/2010 Dashuria është parë gjithmonë si burim frymëzimi i artistëve, por padyshim ajo nuk ka gjithmonë fytyrën e Romeos dhe Zhuljetës. Në realitetin e sotëm ajo merr herë-herë tipare gazmore, ngacmon dhe cenon realitete të reja, e në provokime ndjesish nxit edhe ndarje dhe zhbën familje. “Romancë dashurie” është komedia e italianit Aldo de Benedetti-t që është rikthyer këtë fundjave në Teatrin Kombëtar, ku është shfaqur në sallën e vogël. Me regji të Milto Kutalit dhe interpretimin e aktorëve Bujar Asqeriu, Roland Trebicka, Anila Bisha, Luljeta Hoxha, vepra ka në qendër raportet familjare. Një pjesë me mesazhe aktuale të familjes së sotme, jo vetëm shqiptare, vepra është një ngjarje më shumë e jetuar nga krijuesi i saj, De Benedetti, sesa një trillim letrar. Vepra vendos raportet familjare dhe të mirën njerëzore në kohën e sotme, ku jo shpesh shpirtrave të brishtë njerëzorë iu duhet të përballen me vështirësi. Mesazhi që kjo vepër përcjell është si një apel për mbrojtjen e familjes.