E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat, shtyhet afati i regjistrimeve

TIRANE-Shtyhet afati i regjistrimeve për të gjithë të interesuarit që do të aplikojnë në një cikël studimi për master. Sipas një vendimi të djeshëm, të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, sekretaritë e fakulteteve do të jenë të hapura deri më 30 tetor për të pritur, dokumentacionin e të gjithë të interesuarve.

"Aplikimet për programet e ciklit të dytë "Master Profesional" dhe "Master Shkencor"/ "Master i Arteve të Bukura" të bëhet pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore, nga data 10 tetor 2011 deri më datën 30 tetor 2011, prej orës 08:00-18:00 ku kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dokumentracionin e mëposhtëm: fotokopje të noterizuar të diplomës së shkollës së lartë të shoqëruar me listën origjinale të notave; një dokument identifikimi (Kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje të tyre, në dosje mbahet vetëm fotokopja; dy fotografi; mandat arkëtimi i tarifës prej 2500 lekë paguar pranë postës shqiptare dhe deklaratë që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi të ciklit të dytë, "Master Profesional" dhe "Master Shkencor"/ "Master i Arteve të Bukura" në universitetet publike", - thuhet në udhëzimin e djeshëm të Tafajt. Udhëzimi përcakton që fituesit duhet të shpallen me datë 4 nëntor, sipas rendit zbritës të pikëve të fituara, ndërsa regjistrimi i fituesve pranë sekretarive përkatëse do të bëhet nga 7-10 nëntor, duke filluar nga ora 08:00-18:00.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›