E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shfrytëzoi të fejuarën për prostitucion, arrestohet studenti

LEZHË - Shfrytëzon për prostitucion të "fejuarën" përfundon në pranga studenti i inxhinierisë së ndërtimit. Pasditen e djeshme, forcat e Sektorit kundër trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Lezhës arrestuan Eduart Markun, i cili akuzohet për "shfrytëzim prostitucioni" dhe "trafik prostitucioni, mbetur në tentativë". I riu u kap pas denoncimit të bërë nga nëna e një 19-vjeçare nga qyteti i Durrësit. Burime zyrtare nga policia e Lezhës, bëjnë me dije se para një viti 21-vjeçari Marku nga fshati Trashan i Komunës Blinisht të këtij rrethi ishte njohur dhe më pas kishte deklaruar fejesën me E.Cani.
Mësohet se pas fejesës, dy të rinjtë kanë bashkëjetuar në Tiranë. Shkëputja e lidhjeve me vajzën ka shqetësuar nënën e adoleshentes, e cila fillimisht është interesuar tek familjarët e djalit. Ndërsa, këta të fundit i kishin thënë se nuk ishin në dijeni të fejesës mes dy të rinjve, e moshuara ka bërë denoncim në polici. Pas hetimeve të bëra nga blutë ka rezultuar se pas "fejesës" Marku e kishte punësuar fillimisht 19-vjeçaren si balerinë nëpër lokale nate. Burimet e mësipërme sqarojnë se më pas studenti e kishte shfrytëzuar për prostitucion adoleshenten nëpër lokale të ndryshme në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Shëngjin sidomos tre muajt e verës. Po të njëjtat burime sqarojnë vajza paguhej nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë për çdo seancë seksi me klientë të ndryshëm që ia gjente i "fejuari" i saj. Kohët e fundit, Eduart Marku i kishte nxjerrë dhe pasaportë E. Canit, duke i propozuar që të iknin jashtë shtetit. Sipas hetuesve të çështjes, 21-vjeçari kishte si qëllim trafikimin jashtë vendit të së resë nga Durrësi. Menjëherë pas zbardhjes së ngjarjes, policia ka arrestuar autorin e krimit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›