E Diel, 1 Nëntor 2026

Masteri i Nivelit të Dytë është një shpikje shqiptare

Me këtë ndryshim shkojmë në rrugën e sistemit të Bolonjës

Kjo ka qenë një nga pikat e nxehta ku ne e kemi kundërshtuar ligjin për arsimin e lartë. Në kornizën studimore aktuale janë përfshirë dy vite, që quhen diplomë e nivelit të dytë, që ne i kemi hibride të panevojshme, pasi modeli i Bolonjës është 3+2+3. Pra Bachelor, Master dhe Doktoraturë. Ky ishte i pakuptimtë dhe ishte me kosto që rëndonte edhe familjet shqiptare. Nuk ishte i përshtatshëm edhe me nevojat që ka tregu i punës sot.

Masterat që do të ofrohen janë një ose dyvjeçarë. Ata janë Masterat Science dhe Arts.
Masterat Science janë të fokusuar në kërkim për t’u përgatitur për doktoratë. Ndërsa Masterat Arts janë masterat profesionalë që mund të jenë një ose dyvjeçarë, të cilët përgatisin specialistë të profilizuar në fusha të ndryshme.

Kjo është një gjë e logjikshme, pasi e kthen modelin e studimit në Shqipëri në rrugën e Bolonjës. Kjo duhet vlerësuar. Atyre që kanë diploma të shkollës së lartë katërvjeçare mund t’u hapet rruga për doktoraturë. Ndërkohë duhet theksuar që studimet doktorale kanë edhe pjesën e tyre teorike, marrje leksionesh, në funksion të kërkimit. Për ata që nuk kanë bërë master të mirëfilltë, do të merren leksione. Kjo e kthen kornizën e studimeve në Shqipëri në rrugën e Bolonjës si të gjitha vendet e tjera europiane. Imagjinoni një person që mbaron master në Belgjikë, Francë apo Britani dhe këtu i thonë që të bëjë një Master të Nivelit të Dytë përpara se të fillojë doktoratën.
Këtu nuk ka vend për politikë, duhet të jemi korrekt me qytetarin. Skema aktuale është problematike, ndaj duhet ndryshuar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›