E Diel, 1 Nëntor 2026

5 orët e vizitës së Obamës në Afganistan

“Talebanët nuk do të kthehen më në pushtet”

Presidenti Barak Obama bëri një vizitë të papritur në Kabul, ku i kërkoi Presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai, të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin në vend. Kjo është vizita e parë e Obamës si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Afganistan. Ai kishte qenë në vend në kohën kur garonte për President. “Vendi ka bërë përparime të dukshme, por unë dua të shoh më shumë në përpjekjet e tua në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e ligjit. Talebanët nuk kanë për t’u kthyer më në pushtet. Misioni shkon përpara dhe ne do të fitojmë”, tha ai. Nga ana e tij, Karzai garantoi se vendi i tij do të ecë përpara dhe eventualisht do të garantojë sigurinë e tij. Ai falënderoi gjithashtu Presidentin Obama për ndërhyrjen amerikane në vendin e tij. Ai vizitoi edhe ushtarët në bazën ajrore amerikane ku u drejtua me fjalët: “Të gjithë janë krenarë për ju, republikanë e demokratë. SHBA-të nuk do ta lënë përgjysmë punën e nisur. Nëse talebanët marrin në dorë drejtimin vendit kjo mund të shërbejë si strehim për Al-Kaedën dhe objektivi i Amerikës është të mund dhe të shkatërrojë rrjetet terroriste. Do t’i ndalojmë rebelët të marrin pushtetin”. Vizita e shpejtë shërbeu edhe për një takim të shkurtër me komandantin Stanley McChrystal. “Jeni këtu për të siguruar Amerikën dhe gjithë botën”, deklaroi Obama.

Sipas këshilltarëve të Presidentit amerikan, ky udhëtim kishte për qëllim t’i kërkonte Presidentit Karzai të bënte më shumë përpjekje për të spastruar zyrtarët e korruptuar dhe për të ofruar shërbime të besueshme qeveritare. Gjatë vitit të saj të parë në detyrë, administrata e Presidentit Obama e ka zhvendosur vëmendjen nga lufta në Irak, ku Shtetet e Bashkuara po mundohen të tërhiqen, në Afganistan, ku ai ka dhënë urdhër të vendosen 30 mijë trupa shtesë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›