Minatorët dhe sindikatat, antimitingje më 1 maj
Shtohen pengesat për realizimin e planit të PD-së për të festuar më 1 maj. Përpos zënies së sheshit “Skënderbej” dhe rrezikut të përplasjes së festës me protestën e PS-së, turma festive e mbështetësve të qeverisë do të duhet të përballet me sindikatat, të cilave të paktën më 1 maj nuk mund t’ua ndalë kush të drejtën e protestës.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë doli dje me një deklaratë kundër festës së planifikuar nga PD dhe qeveria më 1 maj, duke e konsideruar këtë si “vjedhje të ditës së punëtorëve”.
“Ne denoncojmë si antiligjore dhe të pamoralshme 5 ditët e zborit ushtarak që forcat politike do thërrasin për manifestime e parakalime nga data 26 prill deri më 1 maj 2010, për të trumbetuar sukseset dhe për të hedhur valle e karafila të kuq për fitoret e arritura nga kriza ekonomike, papunësia, varfëria, kriminaliteti, korrupsioni etj., fenomene që Shqipërinë po e dërgojnë me trenin e fundit në Europë”, tha Kolë Nikolla i Konfederatës së Sindikatave. Sipas tij, askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë 1 Majin, Ditën e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punonjësve të gjithë botës.
Për këtë arsye, konfederata do të organizojë protesta në të gjithë Shqipërinë më 1 maj, duke ftuar qytetarët që të mos i bashkohen parakalimit të organizuar nga pushteti, por të kërkojnë të drejtat e tyre. “KSSH më 1 maj do të protestojë në të gjitha qytetet e Shqipërisë, pasi protestat dhe veprimi sindikal i jep jetë shpirtit demokratik, zgjon vetëdijen qytetare dhe bën të mundur bashkimin e të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare”, tha Kolë Nikolla, i cili listoi edhe qytetet ku do të protestohet, pa e përfshirë Tiranën.
Por nëse Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë do të tregohet e matur për të mos krijuar tension në sheshet dhe rrugët e Tiranës më 1 maj, ish-minatorët e Pogradecit kanë vendosur të dalin e të protestojnë në kryeqytet ditën kur qeveria do të organizojë festë të madhe.
Revolta e ish-minatorëve pogradecarë lidhet me faktin se, sipas tyre, janë shpërfillur nga ana e shtetit, duke mos u trajtuar në bazë të të drejtave që kanë dhe kërkesave që kanë parashtruar në vitet e fundit lidhur me statusin dhe pensionet. Të paktën 400 ish-minatorë kanë zhvilluar dje një mbledhje për të marrë masa për organizimin e protestave që do të startojnë që nga sheshi i qytetit të Pogradecit, për të vijuar më pas me një protestë të madhe të planifikuar në datën 1 maj në kryeqytet.
“Jemi shtresa më e diskriminuar. Ish-minatorët sot jetojnë në varfëri ekstreme dhe shumë prej tyre mezi mbijetojnë në këto kushte krize, me çmime shumë të larta dhe që rriten dita ditës. Shumë nga ata që kanë punuar nën tokë, sot nuk sigurojnë dot bukën e gojës dhe i shënojnë emrat në lista në dyqane. Ka ardhur momenti që të gjithë të ngrihemi në protesta dhe këto do të organizohen shumë shpejt kundër qeverisë që nuk e ka trajtuar këtë kategori, duke e shkelur me këmbë dhe duke e lënë pas dore. Janë 3000 ish-minatorë që kanë punuar në minierat e zonës së Pogradecit, që do të jenë gati për të nisur protestat kundër qeverisë, protesta të cilat do të përshkallëzohen. Në datën 1 maj të gjithë minatorët do të mblidhen në Tiranë për të protestuar”, tha Llazi Gërxhalli. Ish-minatorët që kanë punuar në minierat e Gurit të Kuq, çervenakës, Alarupit etj., do të jenë gati që më 1 maj të mblidhen në kryeqytet për mitingun e tyre kundër qeverisë.
#