E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masteri për trashëgimi n’Prizren

Nga viti i ardhshëm pritet që Universiteti i Prizrenit të fillojë me programin master për Trashëgimi Kulturore dhe Menaxhim të Turizmit Kulturor.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Memli Krasniqi, takoi të mërkurën ka rektorin e Universitetit të Prizrenit, Mazllum Baraliun, dhe profesoreshën për studime klasike nga Italia, Sara Santoro, e cila është edhe bartëse e grantit të Programit Tempus IV. Programi parasheh hapjen e programit dyvjeçar master për Trashëgimi Kulturore dhe Menaxhim të Turizmit në Universitetin e Prizrenit.

Ministri Krasniqi ka shprehur mbështetje të plotë për programin që pritet të fillojë vitin e ardhshëm, duke a cilësuar atë si domosdoshmëri. Sipas ministrit, MKRS do të përkrah programin nëpërmjet institucioneve të saj për trashëgimi kulturore. Një program i tillë, theksoi ministri, do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve dhe në zhvillimin profesional të kuadrove në lëmin e trashëgimisë dhe turizmit. Në këtë kontekst, ai përmendi edhe inkuadrimin e ekspertëve ndërkombëtarë në mësimdhënie dhe në punë praktike, në mënyrë që Kosova të përfitojë nga përvojat më të mira të menaxhimit të trashëgimisë dhe turizmit.

Nga ana tjetër, profesoresha Santoro nënvizoi se Kosova ka një trashëgimi shumë të pasur, kështu që zhvillimi i turizmit kulturor – nëpërmjet involvimit të ekspertëve të jashtëm - do të ishte shumë i dobishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Rektori i Universitetit në Prizren, Mazllum Baraliu, ndërkaq sqaroi se, për programin në fjalë ka marrë vlerësime shumë të larta nga ekspertë ndërkombëtarë të fushës së arsimit universitar dhe nga ekspertët e trashëgimisë e turizmit, ndërkohë që për jetësimin e programit përkrahje të madhe kanë marrë edhe nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›