Masterplani i Ramës për bregdetin, vetëm për mbrojtjen e “perandorisë” së Koços

Administratori i Rivierës shqiptare, kështu njihet nga oborrtarët e PS, Koço Kokëdhima ka shtrirë ndërtimet e tij me leje dhe pa leje përgjatë gjithë zonës bregdetare të Vlorës, për të përfunduar në Ksamil. Janë më dhjetëra pallatet e Koços dhe për verifikimin e tyre mjafton një ndalesë 5 minutëshe në secilën prej pikave turistike të jugut. Kudo të thonë ai atje dhe ky këtu janë pallatet e Koços. Një skemë e qartë mafioze që ka uzurpuar pronat publike dhe private në jug, duke i shndërruar ato në betone shumëkatësh. E njëjta skemë që ka funksionuar për vite me radhë edhe në Tiranë mes dy ortakëve Rama dhe Kokëdhima. Koço ka ngritur perandorinë e tij të pallateve përgjatë vijës turistike i pashqetësuar nga pushteti lokal, kjo për faktin se drejtuesit vendorë atje janë përfaqësues të Partisë Socialiste dhe siç dihet Koço është de facto kryetar i PS. Duke qenë i papenguar nga forca e ligjit dhe duke shkelë haptazi çdo plan zhvillimi të bregdetit, sot Kokëdhima është në pozita të fuqishme klientelizmi i mbështetur fuqishëm nga Edi Rama, çka do të thotë se masterplani i ardhshëm për bregdetin, do jetë produkt i këtyre të dyve. Dhe konkluzioni është; “të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e pallateve të Koços mbi rërë”.
Mënjanimi i drejtuesve vendorë, për ta bërë Koçon padron të bregdetit/Edi Rama nisi një fushatë histerie sulmesh ndaj drejtuesve vendorë socialistë përgjatë bregdetit, duke i fajësuar ata për batërdinë e ndërtimeve pa leje. Për këtë u hap edhe një ëebfaqe gjoja për denoncimin e betonizimit. U tha dhe ça s’u tha, u shanë me libër shtëpie nga Shpëtim Gjika e deri te Stefan Çipa, por në asnjë pre fletërrufeve të poshtërimit s’u pa qoftë edhe denoncim i vetëm për pallatet e Koço Kokëdhimës, të cilët bazamentin e tyre në pjesën më të madhe e kanë mbi rërë. Kuptohet se, duke qenë i vetëdijshëm për katastrofën me betonin në bregdet, Rama po i referohet denoncimeve të qytetarëve për të sulmuar politikisht bashkiakët e tij. Kjo është edhe mënyra e kryeministrit të ardhshëm për t’i vënë kryebashkiakët përballë sulmeve të qytetarëve në mënyrë që t’u heqë nga dora kontrollin e bregdetit dhe për t’ia kaluar atë mikut të tij, Koço Kokëdhima. Distancimi i kryetarëve vendorë bëhet për disa arsye. Ramës i intereson që për “imazhin e tij të ri” në vijim të denoncimit të babëzisë së bregdetit, të bëjë disa kurbanë dhe ndër ta, kurbanët e parë janë Gjika, Dako dhe Çipa. Ata akuzohen publikisht si autorët e betonizimit të bregdetit dhe pronarë të hoteleve shumëkatëshe atje. Ideja e përgjegjësve të shkatërrimit të vijës bregdetare nuk është thjesht denoncimi i një krimi të rëndë, që i është bërë turizmit në vend, por në thelb është dhe mbetet një luftë klanesh, përplasje interesash të ngushta. Kuptohet, Edi Rama dhe grupi i tij i klientëve të pushtetit të ardhshëm, do me çdo kusht të shtijë në dorë bregdetin, t’u grabisë pronat qytetarëve dhe të ndërtojë mbi to resorte luksozë dhe fshatra turistikë. Punën e tyre tani e tutje do ta bëjë Koço Kokëdhima.
Historia e betonizimi të Tiranës nga dyshja Koço-Rama/Partneriteti mes Koço Kokëdhimës dhe Edi Ramës nuk është i panjohur për opinionin publik. Bashkëpunimi i tyre është i hershëm, po aq i hershëm se sa është edhe historia e betonizimit të Tiranës nga dy ortakët e biznesit. Kësisoj, pëllëmbë e tokë e kryeqytetit shqiptar, është e mbushur me pallatet e dyshes Koço-Rama duke krijuar katastrofën më të madhe urbane që është njohur ndonjëherë, pa një një studim urbanistik dhe pa një plan të detajuar për zhvillimin e zonave. Thjesht e vetëm beton, pallate shumëkatëshe dhe afera 20%-she me ndërtuesit e tjerë. Babëzia e ndërtimit e dyshes Koço-Rama s’ka kursyer as publiken dhe as privaten. Vlerësimi i pronës së qytetarëve ka qenë në nivele mjerane, për të mos thënë se u është grabitur nën kërcënime mafioze. Zona e Komunës së Parisit është sot dëshmia më e qartë se çfarë kostosh të tmerrshme u ka krijuar qytetarëve të Tiranës Edi Rama kryebashkiak përgjatë 11 viteve. Komuna e Parisit është simbol i zhvillimit kaotik, pa plan. Pallatet e ndërtuara jashtë çdo standardi dhe plani zhvillimi; mungesa e hapësirave të gjelbra, kopshteve, shkollave dhe qendrave të argëtimit janë vetëm maja e ajsbergut të katastrofës urbane. Problemet e krijuara nga dyshja e mafies së ndërtimit janë të tmerrshme, po aq kritike sa mosndryshimi i kursit në 2011-ën rrezikonte ta bënte Tiranën të pabanueshme. Sot, klientelistët e betonit e kanë të pamundur të vazhdojnë shkatërrimin e Tiranës pasi fatmirësisht qyteti sot ka një plan urbanistik të hartuar me ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare. Por, njerëzit- beton kanë zbuluar destinacionin e radhës për ta uzurpuar. Është riviera shqiptare. Bukuritë përrallore përgjatë Jonit kanosen seriozisht nga shkatërrimtarët Koço – Rama.