Edi Rama do anulojë masterplanin dhe ligjin mbi bregdetin, për pallatin mbi rërë të Koço Kokëdhimës

Pallati mbi rërë i Koço Kokëdhimës, i ngritur në mënyrë të paligjshme në Qeparo do të jetë shkaku për anulimin e masterplanit të bregdetit. Ortakët e betonit, dyshja Rama-Koço kanë gati strategjinë për rrafshimin e çdo ndërtimi me leje dhe pa leje përgjatë bregdetit, përveç pallateve pa leje, mbi rërë, të Koços. Mafia e ndërtimit do veprojë sërish me po të njëjtën egërsi si në Tiranë, por këtë radhë ndryshimi është se, në bregdet janë në rrezik edhe banesat e qytetarëve, ku prona private e tyre as që llogaritet
Për objektin e paligjshëm të Koço Kokëdhimës, Edi Rama do anulojë Masterplanin dhe Ligjin për zhvillimin e bregdetit. Ajo që dihet tashmë është se, Rama ka gati një plan për rivierën shqiptare ku synohet prishja e ndërtimeve me leje dhe pa leje, përveç atyre të Koços dhe ndërtimin e resorteve të mëdha turistike të cilat do të jenë në pronësi të Koços. Kjo është me pak fjalë ajo që do tentohet t’i bëhet bregdetit shqiptar, pronës private dhe publike atje. Gjithçka nën kërcënimin e mafies së ndërtimit, të asaj që shndërroi në gërmadhë betoni çdo cep të qytetit të Tiranës. Më konkretisht bëhet fjalë për një pallat shumëkatësh në Qeparo të Himarës, siç duket edhe në foton ngjitur, i ndërtuar mbi rënë në mënyrë të paligjshme. Ky objekt i paligjshëm ka pasur të paktën 2 vendime për prishje nga inspektorati ndërtimor urbanistik kombëtar. Në Mars-Prill 2007 ish Policia Ndërtimore vendosi prishjen e ndërtimit të paligjshme në pronësi të Koço Kokëdhimës, por ky i fundit përdori korrupsionin në gjykatën e Vlorës dhe mori masë sigurie për të mos iu prishur objekti i paligjshëm. Edhe në 2010-ën INU-i kombëtar nxori vendim për prishjen e objektit të kundraligjshëm, por përsëri brenda ditës Koço përdori korrupsionin për të marrë masë sigurie për t’ia hedhur. Për fat të keq, Prokuroria e Vlorës nuk ka hetuar as për ndërtimin e objektit të paligjshëm që është vepër penale sipas ligjit, dhe as për korruptimin e gjykatës nga Koço në mënyrë të përsëritur. Ndërtimi i kundraligjshëm i Koços dhunon qoftë ligjin për brigjet që nuk lejon cenimin e zonave të lagështa, dhe qoftë Masterplanin e Zhvillimit të Bregdetit Jugor të hartuar me ndihmën e Bankës Botërore përmes ekspertëve më të mirë britanikë, austriakë, danezë dhe italiane, dhe qoftë edhe Planin Lokal të Bashkisë Himarë të hartuar nga një kompani konsulence greke që nuk lejojnë ndërtime të përhershme më afër se 100 metra nga bregu ndërkohë që kjo paligjshmëri ndodhet vetëm 30 metra larg detit.
Kohët e fundit servilët e Edi Ramës kanë zbuluar sekretin e tij se do rrëzojë gjithë Masterplanin e Bregdetit Jugor, si edhe Planet Lokale të Bashkisë Himarë që nuk lejojnë ndërtime më afër se 100 metra nga deti, vetëm për të ligjëruar ndërtimin e kundërligjshëm të Koços. Zëra nga bregu flasin që këtë ndërtim Rama e ka të përbashkët me Koçon pasi gjatë kohës që ishte kryetar i bashkisë, Rama i dhuroi 20 milionë dollarë tenderë Koços, si edhe i fali 1.3 milion dollarë të detyrimeve të taksave që Koço i detyrohej arkës së bashkisë.
Ndërkohë që Edi Rama nuk është shprehur as për 10 katëshin e kundraligjshëm të Vangjush Dakos tek Shkëmbi i Kavajës dhe as për këtë kështjellë në rërë, ai ka kërcënuar se do të prishë ndërtimet sipas qejfit të tij, qoftë edhe ato me leje të rregullt. Por, në këtë rast objekti i Koços bën përjashtim, kjo për faktin se është në pronësi të Koços dhe ideja e masterplanit të ri, është që, i gjithë bregdeti të jetë në pronësinë e Koço Kokëdhimës.
*Në foto bashkëngjitur është kështjella e kundraligjshme e Koços në anë të zonës ligatinore të Qeparoit dhe m’u në rërë, vetëm 30 metra larg detit