Mat, identifikohen tre raste me brucelozë te banorët

Tre ditë pasi Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve raportoi për një sukses të fushatës së Brucelozës, bazuar kjo në rezultatet e analizave, një lajm jo i mirë na vjen nga qyteti i Matit.Tashmë nuk janë bagëti, por tre banorë të Matit që kanë rezultuar të prekur nga Bruceloza pas analizave të bëra. Bruceloza është një lloj sëmundje që transmetohet te njeriu nga bagëtitë e imta.
Në funksion të saj u ndërmor edhe Fushata Kombëtare e Vaksinimit "Një pikë në sy", e cila implementohet nga PAZA dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe financohet nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Shqiptare, konkretisht me rreth 5.7 milionë euro dhe 1.8 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Në këtë nismë kombëtare u angazhuan 750 veterinerë në të gjithë vendin. Rreth 2.5 milionë krerë dhi dhe dele u vaksinuan përgjatë këtyre ditëve dhe në mbyllje të këtij procesi madhor kombëtar synohet paisja me kontroll të plotë e shëndetit të kafshëve dhe i rreth 85 mijë fermerëve dhe personave që kanë kontakte të drejtpërdrejta me bagëtitë.