E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mat shembet çatia e shkollës, nxënësit në panik

Shembja e çatisë në një shkollë 9-vjeçare në rrethin e Matit, ka rrezikuar jetën e rreth 60 nxënësve. Ndërtesa vazhdon të përbëjë një rrezik evident për nxënësit, por edhe për vetë stafin pedagogjik, si rezultat i dëmtimeve të shumta që kjo godinë mbart. 

MAT- Shkolla 9-vjeçare “Ibrahim Tema” në fshatin Kurdari të rrethit të Matit, zhvillon mësimin jashtë kushteve të duhura të mësimdhënies. Si shkak i dëborës së rënë ditë më parë çatia e kësaj shkolle është shembur. Për fat të mirë nxënësit që rrezikoheshin nga shembja e saj kanë shpëtuar, pasi ka përkuar me ditën e shtunë, ditë e cila është pushim. Një nga mësuesit e kësaj shkolle tregon për rrezikun që mund ti kanosej këtyre nxënësve, por edhe stafit pedagogjik nga shembja e çatisë.

“E mira është që ndodhi në një ditë që ishte pushim, pasi në të kundërt do ishte një katastrofë e madhe pasi mund të zinte brenda rreth 70 fëmijë. Ky objekt është jashtë funksionit, por sërish këtu zhvillojnë mësim dy klasa të tjera të cilat janë në rrezik, pasi nuk dihet çfarë mund të ndodhi sepse godina është në rrezik. Kërkojmë që institucionet përkatëse të marrin masa, pasi nëse lihet në këtë gjendje kjo do të degradojë më keq”- tha një mësues i kësaj shkolle.

Pas kësaj situate të krijuar në godinën e kësaj shkolle është njoftuar menjëherë Drejtoria Arsimore e rrethit të Matit si dhe pushteti lokal. Duket se për nxënësit është shumë larg koha e internetit, ku stafit pedagogjik u duhet të zhvillojnë mësimin në anekse të improvizuara. Mbi 250 nxënësve u duhet të marrin dije mes kanosjes së rrezikut në ndërtesën me mure të plasaritura e dëmtime të shumta jashtë kushteve të mësimdhënies. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›