Matematika në politikë
Shpeshherë të gjithë neve pavarësisht nga mosha që kemi, na ndodhë të kthejmë në memorien tonë ditët e shkollës së mesme . Kjo është fare normale dhe jo rrallëherë ëndërrojmë se sa mirë do të ishte po të kishte mundësi të jetojmë edhe njëherë ato ditë nga fillimi. Kjo dëshirë rrjedhë si rezultat i momenteve kryesisht të mira që përjetohen në këtë fazë të jetës. Është koha kur ndodhin kthesa dhe formësim i karakterit. Është koha kur fillon pavarësimi në të menduar, në planifikim, fillon faktorizimi në shoqëri dhe familje, fillojnë dashuriçkat e para dhe krejt kjo të bën të ndihesh se je dikush. Në këtë periudhë të jetës secili ka edhe ndonjë episod të hidhur, të turpshëm, apo të qenit i margjinalizuar. Diçka që pak a shumë ka qenë e përbashkët për të gjithë, me disa përjashtime, ishte frika. Ishte frika nga mosdija për të mos u turpëruar para shokëve dhe shoqeve, para profesorëve. Në atë kohë nuk e kemi ditur se të mos dish nuk është turp, andaj dhe shkojmë në shkollë, për të nxënë. Turp është të shtiresh i ditur dhe të pretendosh se nuk ke nevojë të mësosh nga të tjerët. Matematika ishte lënda e cila mbillte më së shumti frikë. Kjo frikë në mënyrë indirekte do të luaj rol në përzgjedhjen e shkollimit të mëtutjeshëm universitar. Preferohen drejtimet ku nuk ka fare matematikë apo ajo është fare simbolikisht e pranishme në planet e programet universitare. Më vonë do të kuptojmë se çdo gjë është matematikë. Në familje, biznese të vogla e të mëdha e mos të flasim për rëndësinë në shkencat që studiojnë mikro botën atomike dhe atë makro, universin. Dy deklaratat e presidentit Cërvenkovski brenda disa ditëve dhe reagimi apo më mirë të them mos reagimi publik ndaj këtyre dy deklaratave nga të dy subjektet më të mëdha politike shqiptare më shtyu të mendoj dhe të provoj të shpjegoj matematikën e Cërvenkovskit. Në matematikë, sa më shumë ka të dhëna aq më e komplikuar duket detyra në shikim të parë. Mirëpo, nuk është ashtu (edhe në shkollë të mesme kjo ishte gjeneza e frikës nga lënda e matematikës). Në ekuacionet me shumë binome dhe trinome aplikohet metoda e thjeshtësimit duke e gjetur emëruesin e përbashkët. Në deklaratën e parë të Cërvenkovskit thuhet 'Unë e zyrtarizova Universitetin e Tetovës, sepse Ali Ahmeti as nuk e kishte ndërmend'. HESHTJE!!! Simpatizantët e partisë opozitare u gëzuan për faktin e shprehur se Ahmeti nuk qenka ai i cili paska zyrtarizuar Universitetin. Deklarata e dytë e Cërvenkovskit që thotë "Unë me Arbën Xhaferin dhe Menduh Thaçin patëm takim dhe u morëm vesh për intervenimin në Gostivar në vitin 1997".
Heshtje!!! Kësaj radhe simpatizantët e partisë në pushtet u gëzuan se këta dy liderët opozitarë qenkan përgjegjës për rastin e Gostivarit. Nëse deklaratat e Cërvenkovskit i kthejmë në matematikë si dy binome, do të shohim se emëruesi i përbashkët është Cërvenkovski. Kur në vitin 1995 shqiptarët shpirtërisht kishin nevojë për universitet të tyre, Branko Cërvenkovski si kryeministër me dhunë dhe duke vrarë një të ri shqiptarë tenton të parandalon themelimin e këtij institucioni arsimorë shqiptar. Prej nga dhjet vjet pas i njëjti paska dëshirë për të zyrtarizuar atë?,Gënjeshtër (binomi i parë). Kur në vitin 1997 PDSH pas fitores bindëse në zgjedhjet lokale të vitit 1996 i faktorizon shqiptarët dhe paraqitet si subjekt që demaskon dhe rrezikon politikën Gligoroviane të qeverisë së atëhershme të Branko Crvenkovskit kryhet intervenimi brutal policor në Gostivar duke rrahur,vrarë dhe burgosur kryetarët komunave më të mëdha shqiptare.( binomi i dytë).
Si inxhinier i elektroteknikës që është Branko Crvenkovski e njeh matematikën më mirë se politikanët shqiptarë të cilët dinë vetëm të llogarisin se sa vota shqiptare në zgjedhje duhen për një deputet në zonën e tyre, se sa deputet duhen të jesh pjesë e qeverisë apo në kohë të fundit dinë të bëjnë edhe llogari se me sa deputet e bllokojnë formulën e dyfishtë të Badinterit. A matematika kulminante vjen nga vet zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi, i cili me mburrje pa ndal thotë se 95% të Marrëveshjes së Ohrit është implementuar. Matematika e Branko Cërvenkovskit shkon shumë më larg. Edhepse publikisht patë deklaruar se nuk do të rikandidohet për president veprimet e tija matematikore tregojnë se ai një rrenacak i pacipë. Deklaratat e tija dhe mos reagimi i subjekteve shqiptare ndaj tyre le të kuptohet se ai llogaritë në votat e shqiptarëve. Krejt fëlliqësirat e bëra në këtë periudhë duke formuar fotografi të shtrembëruar të realitetit ne vend dhe rajon do ti ngelin ne dore si bombë e cila patjetër do të eksplodon në duart e kryeministrit Gruevski i cili edhe vet është krijesë e kësaj çmendurie. Nga kjo Branko Cërvenkovski pretendon ti merr votat e joshqiptarëve. Tendenca e shqiptarëve për të dal jashtë kësaj matematike të Branko Crvenkovskit, nëpërmjet kyçjes në politikë të z.Rufi Osmanit si kandidat për komunën e Gostivarit dhe formimi i partisë së re politike por me njerëz të dëshmuar më parë në poste udhëheqëse, e shtyjnë Branko Cërvenkovskin të njollosë nëpërmjet satelitëve të dëshmuar të tij . Nevzat Bejta deklaron në TV Alsat "Rufi Osmani e ka bërë vet krizën në Gostivar në viti 1997,për ta marrë kreun e PDSH-së dhe deklarata e satelitit tjetër Vlado Buçkovski në Parlamenti e Maqedonisë "Demokracia e Re dhe Ymer Selmani janë pjellë e Nikolla Gruevskit".Edhe këto binome kanë një emërues të përbashkët Branko Cërvenkovski kryetar i ardhshëm i Maqedonisë. Në politikë që moti 1+1=2 nuk është matematikë, matematikat gligoroviane shqiptarëve ju kanë sjell vetëm dëm. Matematikë e shëndoshë në politikën shqiptare mund të konsiderohet vetëm ajo që shkon 100% në konton tonë.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”