E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, 17 mijë lekë për rikorrigjimin e provimit



Me 17 mijë lekë të vjetra çdo maturant do të mund të rikorrigjojë testin e tij, ndërkohë që rezultatet e provimit të letërsisë do të dalin më 17 qershor. Këtë vit për herë të parë, maturantët do të kenë mundësi të rikorrigjojnë provimet e tyre në rast se vendosin në dyshim pikët e marra, vetëm duke bërë një kërkesë në Drejtorinë Arsimore dhe duke paguar 17 mijë lekë të vjetra, sipas rregullores së Maturës.

Përgjigjet e Maturës Shtetërore janë të ndara, sipas rregullores. Në këtë mënyrë, përgjigjet që do të konsiderohen të plota do të vlerësohen me tri pikë, ato që do të konsiderohen të sakta me dy pikë, ndërsa përgjigjet e pjesshme do të marrin një pikë. “Nxënësi vlerësohet me 0 (zero) pikë, kur jep përgjigje të gabuar ose nuk jep asnjë përgjigje”, - përcaktohet në rregullore.

Korrigjimi

Për testet e Maturës Shtetërore, vlerësuesit do të kenë kompetenca të kufizuara dhe përgjegjësi të plotë mbi vlerësimin e tyre, sipas rregullores së maturës. Në këtë mënyrë, autoritetet përgjegjëse të vlerësimit të provimeve të maturës, AVA do të përzgjedhë dy vlerësues për çdo tezë. Pas përfundimit të vlerësimit të testit, vlerësuesit do të nënshkruajnë provimin, duke marrë përgjegjësinë e plotë të vlerësimit. Rregullorja parashikon që në rast se ka mospërputhje mes pikëve të dy vlerësuesve, atëherë kryevlerësuesi përcakton një vlerësues të tretë, pikët e akorduara prej të cilit janë përfundimtare.

Vlen të theksohet se pranë AVA-s do të ngrihet edhe një komision i posaçëm për të vlerësuar testet që dyshohet se janë të kopjuara, komision që do të quhet KOPOTED. Ky komision do të marrë në shqyrtim të gjitha testet e dyshuara si me përmbajtje të njëjtë dhe në rast se vërteton kopjimin, atëherë skualifikon kandidatët. Sipas burimeve nga Ministria e Arsimit, KOPOTED-i do të marrë në shqyrtim të gjitha testet dhe do të bazohet në shqyrtimin e vet mbi numrin e sekretimit që ka çdo tezë, në mënyrë që të dallojë maturantët që kanë qëndruar afër njëri-tjetrit gjatë provimit.

Përgjigjet

Përfundimi i korrigjimit të testit duhet të kryhet brenda 15 ditëve nga përfundimi i provimit të maturës. Testi i korrigjuar do t’u jepet kandidatëve pas kërkesës së tyre vetëm kundrejt një pagese prej 400 lekësh të reja. Në rast se maturantët vërejnë korrigjim të gabuar të testit nga ana e vlerësuesve, atëherë ata kanë të drejtë të apelojnë korrigjimin, pranë AVA-s, brenda 7 ditëve nga shpallja e rezultateve.

Rregullat për qëndrimin në mjediset e AVA-s gjatë hartimit të tezave të provimeve, si edhe gjatë korrigjimit të testeve janë të rrepta. Në mjediset e agjencisë nuk do të lejohet të qëndrojë vetëm një person e, për më tepër, nuk do të lejohet mbajtja e mjeteve për komunikim. Ndërkohë që në rast se një prej materialeve të konsideruara “të rezervuara” bëhet i ditur në publik, të gjithë personat përgjegjës do të ndiqen penalisht.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›