E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtatzëni në moshë të madhe, risk për fëmijë me anomali

Gjinekologët: Shtatzënitë mbi 34 vjeç rrezikojnë gratë

Studimi: Infertiliteti po rritet në shoqëritë moderne

* * * *

Fëmijët e grave në një moshë të madhe kanë risk të madh për të pasur anomali. Mjekët gjinekologë ngrenë alarmin se kalimi i moshës tek gratë sjell vështirësi për arritjen e një shtatzënie, gjithashtu dhe probleme për ecurinë e saj. Madje ata shtojnë se kjo shoqërohet me një risk më të madh për sëmundje dhe vështirësi për të lindur.

Shtatzënitë

Në konferencën e tretë kombëtare të gjinekologji-obstetrikës, autoritetet shëndetësore, mjekë dhe specialistë të kësaj fushe, kanë diskutuar për problematikën që paraqesin shtatzënitë në moshë të madhe dhe infertileteti. Gjatë diskutimit të tyre gjinekologët thanë se së fundmi është shfaqur një problem i madh, që sipas tyre, është edhe i ri për vendin tonë. Shtatzënitë në moshë të madhe te gratë si dhe risqet që shfaqin ato gjatë kësaj periudhe. Mosha më e rrezikuar është duke filluar nga 34 vjeç. “Fëmijët e grave në një moshë të madhe kanë një risk të madh për të pasur anomali. Ka një risk më të madh për sëmundje dhe vështirësi për të lindur. Rekomandimi im do të ishte që gratë krahas problemeve të tjera të jetës që duhen zgjidhur, të mendojnë dhe për procesin e riprodhimit dhe për shtatzënitë dhe fëmijët e tyre, sepse sa më të reja të jenë, aq më të shëndetshëm do të jenë fëmijët e tyre, aq më lehtë do ta kalojnë ato shtatzëninë”, - u shpreh Orion Glozheni, shef i shërbimit të maternitetit “Koço Glozheni”. Këto probleme u paraqitën edhe përballë një paneli me mjekë dhe specialistë nga vende të rajonit, si nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kroacia.

Infertiliteti

Një tjetër problematikë e ngritur nga gjinekologët janë shtatzënitë e parakohshme apo infeksionet e ndryshme tek femrat. Sipas tyre infertiliteti po rritet në shoqëritë moderne. “Pa dyshim që infertiliteti mbetet një problem, kalimi i moshës sjell jo vetëm vështirësi për arritjen e një shtatzënie, por sjell vështirësi dhe probleme dhe për ecurinë e shtatzënisë”, - tha Orion Glozheni, shef i shërbimit të maternitetit "Koço Glozheni". Në uljen e numrit të spermës tek burrat shihet si faktor ndotja e mjedisit dhe gjithashtu janë shënuar efekte të mundshme evoluimi. Gjithashtu, gratë, për arsye të interesave për shkollim dhe karrierë martohen në mosha më të vona. Mosha mesatare e menopauzës tek gratë varion nga 48 deri në 52. Ne tashmë e dimë se para disa vitesh gratë në menopauzë nuk mund të lindnin fëmijë për arsye të pakësimit të funksionit të vezoreve. Historikisht, mosha e menopauzës nuk ka ndryshuar dhe shanset për tu bërë me fëmijë janë shumë të pakta ndërsa një femër i afrohet menopauzës. Për këtë arsye ne rekomandojmë që femrat, sidomos ato që e kanë një përvojë të shpejtë të menopauzës në familjen e tyre , të bëhen me fëmijë në mosha më të hershme. Të gjitha kurimet e infertilitetit, madje dhe vetë IVF nuk mund të jenë të suksesshme nëse funksioni vezor femëror është pakësuar. Mjekët gjinekologë evidentojnë disa faktorë që ndikojnë tek infertiliteti. Kështu, faktorët mashkullorë zënë rreth 40%, faktorët femërorë 50%, faktorët e përbashkët 30% si dhe faktorët e panjohur 10-15%.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›