Matura Shtetërore – Publikimi i tezës së Gjuhës së Huaj, Ministria e Arsimit: Nuk cenohet siguria e procesit

Vetëm pak minuta pas nisjes së provimit të Gjuhës së Huaj për Maturën Shtetërore 2025, teza e testit u publikua në rrjetet sociale. Për rastin ka reaguar Ministria e Arsimit duke e cilësuar publikimin e tezës si një akt të shëmtuar, por theksoi se nuk cenohet siguria apo integriteti i procesit.
Ministria e Arsimit garanton se publikimi i tezës nuk ndikon në mbarëvajtjen e testimit dhe as transaprencën e këtij procesi.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron maturantët, prindërit, mësuesit dhe gjithë publikun e gjerë se provimi i gjuhës së huaj, i Maturës Shtetërore 2025, po zhvillohet në kushte të plota sigurie dhe në transparencë të plotë, sipas rregullores në fuqi duke garantuar standardet më të larta të testimit për 27 mijë maturantët në të gjithë Shqipërinë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron maturantët, prindërit, mësuesit dhe gjithë opinionin publik se provimi i parë i Maturës Shtetërore 2025, gjuha e huaj, po zhvillohet sipas standardeve më të larta të sigurisë dhe transparencës, në përputhje me Rregulloren e Maturës Shtetërore.
Akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës së lëndës gjuhë e huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces dhe nuk mund të hedhë poshtë punën e palodhur të mijëra mësuesve, administratorëve dhe punonjësve të strukturave arsimore në të gjithë vendin, që kanë punuar prej muajsh me përkushtim për mbarëvajtjen e këtij procesi”, thotë ministria.
Sipas MAS, janë marrë masa të forta sigurie, që nga hartimi dhe shpërndarja e testeve deri tek monitorimi me kamera sigurie dhe certifikimi i stafit administrativ.
Ministria paralajmëron se çdo përpjekje për të dëmtuar procesin e provimeve do të trajtohet me rreptësi, sipas rregullores në fuqi.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon me forcë çdo akt që synon të dëmtojë besueshmërinë dhe integritetin e Maturës Shtetërore, duke theksuar se çdo përpjekje për të prishur mbarëvajtjen e procesit të provimeve do të trajtohet me rigorozitet, sipas rregullores në fuqi. Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron se provimi po zhvillohet me standardet më të mira, duke i dhënë mundësi maturantëve të tregojnë aftësitë dhe kompetencat e përfituara gjatë viteve të studimit.
Këto standarde janë garantuar nga strukturat arsimore në çdo hallkë të procesit: Nga hartimi i testeve me profesionalizëm dhe siguri të plotë, deri te përgatitja dhe certifikimi i personelit administrativ. Janë kryer konsultimet në shkolla, testet model të shpërndara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore që në muajin janar, zhvillimi i para-testeve në shkolla si dhe mbështetja psikologjike për përballimin e stresit të provimeve, si masa që kanë shoqëruar përgatitjen për Maturën 2025.
Kemi forcuar vit pas viti edhe elementët teknikë të kontrollit, përfshirë kamerat e sigurisë, rregullat për hyrje-daljet dhe standardet e administrimit, duke synuar një ambient të qetë dhe të përshtatshëm për çdo nxënës”, thuhet në reagim.
Sot, mbi 27 mijë maturantë iu nënshtruan provimit të parë të Maturës Shtetërore 2025, ndërsa testet e radhës do të zhvillohen më 10, 17 dhe 24 qershor për gjuhën shqipe, matematikën dhe lëndën me zgjedhje.
/rtsh.al/