E Hënë, 2 Nëntor 2026

KQZ sqaron fletët e papërdorura: Gabim në raportimin e 99.455 fletëve të votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është përgjigjur zyrtarisht Partisë Demokratike lidhur me kërkesën për verifikimin e fletëve të votimit të papërdorura në parlamentaret e 11 majit.

Në shkresën e firmosur nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi theksohet se janë 99.455 fletë votimi të papërdorura që u përkasin 233 qendrave të votimit, të cilat gabimisht janë raportuar si “0” në procesverbalet përkatëse.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, numri total i fletëve të papërdorura është 1.935.328, bazuar në të dhënat zyrtare të raportuara nga çdo qendër votimi. Këtij totali i shtohen edhe 27.340 fletë votimi të papërdorura në 74 QV, ku u aplikua votimi elektronik (në Vorë dhe Njësinë nr. 10 në Tiranë), 99.455 fletët e raportuara gabimisht si të përdorura, si dhe 5.369 fletë votimi, për të cilat ka pasaktësi në raportim, por që konsiderohen gjithashtu të papërdorura.

KQZ-ja thekson se këto pasaktësi burojnë nga gabime në plotësimin e procesverbaleve nga komisionet e Qendrave të Votimit dhe se të gjitha sqarimet janë bërë në kuadër të transparencës dhe verifikimit të rregullsisë së procesit zgjedhor.

Gazetare: Jonida Omeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›