Matura Shtetërore, 3 mijë rezultate mbeten të ngrira
Edhe pse në listat e rezultateve me zgjedhje mungojnë plot 3000 emra maturantësh, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka dhënë ende një prononcim lidhur me këtë problem. Nxënësit janë të shqetësuar jo vetëm sepse nuk gjejnë dot emrat në lista, por sepse, sipas tyre, institucionet përgjegjëse nuk kanë dalë ende në një prononcim zyrtar për të sqaruar këtë “avari” dhe për të saktësuar se cilat do të jenë masat që do të merren për të dhënë rezultatet për këta maturantë. Dy ditë më parë është bërë publik Formulari A2, në të cilin çdo nxënës do të përzgjedhë 10 degët e tij të preferuara. Fill pas publikimit të tij, shqetësimi i nxënësve ka qenë edhe më i madh, duke qenë se ata nuk kanë të drejtë të bëjnë plotësimin e tij, për shkak se nuk dinë ende notat e provimeve me zgjedhje. Ata thonë se Formulari A2 nuk duhet të ishte publikuar, pa u zgjidhur shqetësimi i tyre.
Pretendimi i tyre vjen për shkak se sot do të shpërndahet Formulari A2 në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Kjo sjell rrjedhimisht penalizim për maturantët që nuk janë ende në dijeni për notën që kanë marrë në këto provime. Nxënësit janë të zhgënjyer, pasi nuk dihet ende se çdo të bëhet me fatin e tyre. Dyshohet se një nga shkaqet e mosshpalljes së rezultateve mund të jetë edhe moskorrigjimi i tezave të këtyre maturantëve.
Notat e tyre kanë mbetur të “ngrira”, pa e ditur se çfarë pasojash do të sjellë. Nëse maturantët e tjerë do të plotësojnë formularin normalisht, pjesa tjetër që nuk di se çfarë note ka marrë është jo vetëm e penalizuar për të bërë plotësimin e tij, por edhe e rrezikuar. Kjo, për shkak se nëse situata nuk zgjidhet deri më datë 1 gusht, afati përfundimtar i plotësimit dhe dorëzimit të formularit të preferencave, nxënësve të tjerë u mohohet detyrimisht e drejta për të proceduar në të njëjtën mënyrë.
Formulari A2Formulari i preferencave do të shpërndahet sot në të gjitha shkollat e mesme të vendit, edhe pse bazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore ai duhet të dorëzohej më datë 20 korrik. Pas dy ditësh vonese, formulari do të dërgohet sot në të gjitha drejtoritë e gjimnazeve. Plotësimin e tij do të kenë të drejtë ta bëjnë vetëm ata nxënës që e dinë se me çfarë note janë vlerësuar në tezat me zgjedhje. Për fat të keq maturantët e “përjashtuar” nga listat e rezultateve nuk do të kenë mundësi ta plotësojnë dhe dorëzojnë atë brenda afatit të përcaktuar nga MASH.
Nxënësit do ta bëjnë renditjen e preferencave nëpërmjet një rendi zbritës, duke filluar nga dega më e preferuar e deri tek ajo më pak e pëlqyera. Sipas Ministrisë së Arsimit, përcaktimi i kandidatëve fitues do të bëhet pas llogaritjes së pikëve përkatëse për të dhjetë preferencat e listuara në Formularin A2. Bazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, parashikohet se maturantët do të kenë një afat kohor prej 10 ditësh për plotësimin e tij. Pas kësaj, nxënësve do t’u duhet ta dorëzojnë formularin e plotësuar në drejtoritë përkatëse të shkollave. E njëjta procedurë do të kërkohet të kryhet edhe nga ata kandidatë që do të aplikojnë për të qenë studentë në Akademinë e Arteve, në degën e Arkitekturës apo në Universitetin e Sporteve.
#