Çausheskët zhvarrosen pas 20 vitesh për një test ADN-je
Kockat e ish-diktatorit rumun, Nikolae çaushesku, dhe ato të bashkëshortes së tij, Elena, janë nxjerrë nga varri për t’iu nënshtruar një testi ADN-je, pas pretendimeve se ato mund të ishin varrosur në fakt diku tjetër. Ish-diktatori i Rumanisë, që qeverisi vendin me grusht të hekurt që nga viti 1965 deri në vitin 1989, u ekzekutua i pari dhe më pas u pasua edhe nga e shoqja. Ekzekutimin e kreu një skuadër pushkatarësh në mesin e revoltës masive që shpërtheu në Rumani në momentet e përmbysjes së komunizmit.
Por tre fëmijët e çiftit kanë shprehur në mënyrë të vazhdueshme dyshime për vërtetësinë e kockave që ndodhen në varrin e dy bashkëshortëve. Sipas dyshimit të tyre, çifti në fakt është varrosur në një tjetër vend. Kështu, ata organizuan një fushatë dhe kanë bërë një betejë të gjatë për të arritur sigurimin e lejes për nxjerrjen e kockave dhe ekzaminimin e tyre, duke pretenduar se nuk kishte asnjë dokument që të vërtetonte se kockat ishin të prindërve të tyre. Dhe dhëndri i çiftit konfirmoi se mbetjet e të dyve ishin nxjerrë nga varri dhe se tani do t’i nënshtroheshin një testi të plotë për të përcaktuar identitetin. Mendohet se akti i zhvarrosjes është bërë pas një kërkese të vazhdueshme të familjarëve. Për sa i përket familjes së ish-diktatorit, ajo u shpreh e kënaqur që më në fund ishte pranë gjetjes së të vërtetës. Me testin do të merret një grup patologësh. Gjithsesi, familjarët shpresojnë se bëhet fjalë për kockat e çausheskëve, por për këtë duhet që të pritet testi i ADN-së.
Nëse del se kockat janë të vërteta, familjarët do të organizojnë një ceremoni rivarrimi. Por një test i tillë mund të zgjasë për disa muaj. Familjarët kanë akuzuar edhe ish-presidentin e vendit, Iliesku, njeriun që pasoi çausheskun në pushtet, që i kishte vrarë dhe varrosur çausheskët si paganë. Por një ish-oficer i lartë i regjimit që mbikëqyri varrimin në vitin 1989, tha se ishte i lumtur që më në fund testi do të vërtetonte atë që ai kishte thënë gjatë gjithë kohës, pra që në varr ndodheshin dy nga njerëzit më kriminelë të vendit.
Në dhjetor të vitit 1989, çaushesku dhe e shoqja ikën nga pallati ku jetonin nga frika e kryengritjes që kishte shpërthyer në Bukuresht.
#